Shqipëria Postuar më 22 Korrik 2026, 14:30

Ulet koha e pritjes në pikat e kalimit kufitar/ Qeveria miraton marrevëshjen me Maqedoninë e Veriut

Nga Ledina Elezi

Ulet koha e pritjes në pikat e kalimit kufitar/ Qeveria miraton

Mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të ketë pika të përbashkëta të kalimit kufitar, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së udhëtarëve dhe automjeve që shkëmbejnë mallra mes dy vendeve. Kështu është shprehur Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë prezantimit të vendimeve të qeverisë, teksa shtoi se deri në miratimin në parlamentet përkatëse, do të shfrytëzohet periudha e testimit për të lehtësuar në praktikë kalimet e qytetarëve dhe mallrave përmes pikave kufitare që janë pjesë e marrëveshjes.

Një vendim shumë i rëndësishëm që u miratua sot është dhe marrëveshja që u nënshkrua në fund të muajit qershor së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen në mënyrë të përbashkët të veprimtarive të autoriteteve përkatëse të kontrollit kufitar duke përcaktuar procedura më të lehtësuara si për udhëtarët, po ashtu dhe për automjetet, të cilat shkëmbejnë mallra midis dy vendeve tona dhe kjo është një kontribut jo vetëm në rritjen e një turizmi cilësor në kuptim të procedurave të lehtësuara pa radhë, por edhe të një ekonomie më të fortë mes dy vendeve tona duke qenë se përfitojnë bizneset pikërisht nga kjo marrëveshje e cila nga ky moment i quhet drejtpërdrejt Parlamentit shqiptar për miratim, ratifikim”, tha ai.

Ndërkohë, për sa i përket angazhimit që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të Bordit të Paqes për dërgimin e trupave në Gaza, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, deklaroi se javën e ardhshme qeveria do të miratojë një vendim mbi numrin e trupave.

Angazhimi lidhet kryesisht me faktin që ne do të dërgojmë oficera shtabi në Shtabin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Kemi bërë një mision të shqyrtimit të territorit, rrethanave, kushteve në Gaza, pas atij misioni, ne do të dërgojmë oficera shtabi që do të bëhen pjesë e Shtabit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Me dërgimin e këtyre forcave, pra këtyre oficerëve të shtabit, do të bëhet vlerësimi edhe për angazhimin e trupave konkretë. Aty do të jemi në gjendje të specifikojmë pastaj se sa trupa do të dërgohen, ku do të dërgohen specifikisht dhe cili do të jetë misioni i tyre”, tha Nufi.

Për sa i takon marrëveshjes së nënshkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për akordimin e një huaje prej 300 milionë eurosh në fushën e mbrojtjes, Ministri u shpreh se ajo do të përdoret për zhvillimin dhe modernizmin e kapaciteteve dhe sistemeve të mbrojtjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat