Shqipëria Postuar më 22 Korrik 2026, 11:17

Moti i keq në vend, MIE: 21 fidera jashtë funksioni dhe mbi 1,000 punonjës në terren për rikthimin e energjisë

Nga Edel Strazimiri

Moti i keq në vend, MIE: 21 fidera jashtë funksioni dhe mbi 1,000

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur masat e marra për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq gjatë mbrëmjes së kaluar dhe orëve të para të mëngjesit.

Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta shkaktuan problematika në disa zona të vendit, ndërsa grupet e punës nën varësinë e Ministrisë kanë vijuar ndërhyrjet në terren për normalizimin e situatës.

Në akset kombëtare rrugore qarkullimi vijon normalisht. Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugëve nga gurët dhe materialet e rëna, ndërsa ARRSH vijon monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes së akseve.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, aktualisht 21 fidera janë jashtë pune, kryesisht në zonat e Vlorës, Fierit, Sarandës dhe Librazhdit. Në orët e para të mëngjesit është rikthyer në punë Nënstacioni i Livadhjasë, duke mundësuar furnizimin me energji të disa zonave.

OSSH ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike. Ndërkohë, të gjitha linjat e transmetimit 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.

Ministria bën të ditur gjithashtu se situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.

Në sektorin e furnizimit me ujë, në Sarandë dhe Ksamil stacionet e pompimit të ujit të ndotur janë rikthyer në funksion normal. Në Durrës, një defekt në një elektropompë në stacionin e pompimit të Çermës është riparuar brenda pak orësh.

Në Fier, defekti në stacionin e Kafarajt është riparuar rreth orës 02:00, duke rikthyer furnizimin normal me ujë për qytetin. Ndërkohë, qyteti i Patosit vijon të jetë pa furnizim me ujë për shkak të mungesës së energjisë elektrike në stacionin e Varibopit.

Në Aeroportin e Tiranës janë regjistruar disa vonesa të lehta në fluturimet në ardhje për shkak të kushteve meteorologjike.

Ndërsa në Portin e Durrësit, stuhia ka shkaktuar rrëzimin e disa kontejnerëve bosh në Terminalin e Kontejnerëve, ku 8 prej tyre kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme. Vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të dëmeve. Në pjesën tjetër të portit aktiviteti vijon normalisht.

Në Portin e Sarandës situata paraqitet e qetë dhe linja e lundrimit me Korfuzin vijon normalisht.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat