Bota Postuar më 22 Korrik 2026, 10:41

Uria globale shënoi rënie edhe në 2025 - Afrika kontinenti më i prekur, 1 në 5 persona të kequshqyer

Nga Lidion Kulla

Uria globale shënoi rënie edhe në 2025 - Afrika kontinenti

Uria globale shënoi rënie për të tretin vit radhazi, gjatë 2025-ës, me përmirësime të regjistruara në çdo kontinent. Megjithatë, rreziqet në rritje nga ndryshimet klimatike dhe ndërprerjet e zinxhirit të tregtisë mund të kërcënojnë progresin e mëtejshëm, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara.

Rreth 645 milionë njerëz, ose 7.8% e popullsisë së botës, përjetuan uri vitin e kaluar, nga 8.1% në vitin 2024 dhe 8.6% në vitin 2022, sipas raportit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerja në Botë”, të përgatitur nga 5 agjenci të OKB-së. Progresi u nxit kryesisht nga përmirësimi i situatës në Azi, veçanërisht në Indi, si dhe në Amerikën Latine dhe Karaibe. Gjithashtu, edhe disa vende afrikane përmbysën tendencën disa vjeçare të përkeqësimit, megjithëse kontinenti kishte popullsinë më të madhe të kequshqyer në botë në vitin 2025, me 309 milionë njerëz të prekur, ose 1 në 5 afrikanë.

Uria globale parashikohet të vazhdojë të bjerë deri në vitin 2030, sipas ekspertëve të OKB-së. “Dallimi i madh me vitet e kaluara është se këtë vit shkalla e urisë ka rënë në të gjitha kontinentet, përfshirë Afrikën, megjithëse shumë pak”, tha në një intervistë për Reuters, Maximo Torero, kryeekonomist i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë pranë OKB-së.

Torero tha se kjo tendencë ofron baza për optimizëm, por paralajmëroi se tensionet gjeopolitike dhe çrregullimet e motit përbënin kërcënime të konsiderueshme për sistemet globale ushqimore. Ndër shqetësimet afatshkurtra janë problemet me transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për energjinë dhe inputet bujqësore. Ndërprerja po rrit çmimet e karburantit, plehrave kimike dhe transportit, duke rritur kostot e prodhimit të ushqimit në të gjithë botën.

Edhe një El Niño potencialisht i ashpër, gjatë këtij viti, mund të dëmtojë prodhimin bujqësor në rajonet që mund të preken. “Shpresojmë që trendi të mos ndryshojë, por ka disa rreziqe që na prekin tani”, përfundoi Torero.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat