Bota Postuar më 11 Korrik 2026, 10:00

IEA parashikon rënie të kërkesës për naftë/ Hera e parë që nga kriza globale e shkaktuar nga Covid-19

Nga Lidion Kulla

IEA parashikon rënie të kërkesës për naftë/ Hera e

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) njoftoi se kërkesa globale për naftë do të bjerë për herë të parë që nga viti 2020, pasi lufta në Iran shkaktoi kaos në prodhimin dhe në eksportet e Lindjes së Mesme. Kërkesa botërore do të bjerë me 1 milion fuçi në ditë, gjatë këtij viti, krahasuar me 2025, që do të shënonte rënien e parë vjetore që nga kulmi i pandemisë së Covid-19 në vitin 2020, tha agjencia në raportin e saj për tregun e naftës.

“Tkurrja e këtij viti është shumë e deformuar, si në aspektin e produktit ashtu edhe në atë rajonal, pasi mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, rruga jetësore e transportit detar për naftë dhe gaz, ndërpreu eksportet përmes Gjirit Persik”, vuri në dukje agjencia. Një rimëkëmbje e kërkesës është duke ndodhur aktualisht, megjithëse një përshkallëzim i ri në konflikt mund të ndërlikojë gjërat dhe të errësojë më tej perspektivën.

Parashikimi i agjencisë mbështetet në supozimin e një armëpushimi dhe rihapjes graduale të Hormuzit, një rezultat që duket gjithnjë e më i pasigurt, ndërsa SHBA dhe Irani rifilluan sulmet.

“Ndërsa balanca e tregut global të naftës duket se do të kthehet në tepricë drejt fundit të vitit, parashikimi varet nga supozimi se qarkullimi i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit do të rikuperohen gradualisht, duke u lejuar prodhuesve të rinisin punën”, shkruan IEA.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të angazhohen në “bisedime teknike” me Iranin dhe mbeten të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje për konfliktin, pavarësisht sulmeve ajrore të ditëve të fundit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kishte bërë të qartë qëndrimin e tij dhe i karakterizoi sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare si “akte terrorizmi”, gjatë samitit të NATO-s në Ankara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat