Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2026, 11:55

Mbi 42 mijë pensione të reja pleqërie në një vit/ Sa para do marrin pensionistët e rinj të Shqipërisë?

Nga Elisabeta Dosku

Mbi 42 mijë pensione të reja pleqërie në një vit/ Sa

Popullsia shqiptare po plaket me ritme të shpejta dhe këtë e konfirmojnë edhe shifrat e pensioneve të reja të lidhura për çdo vit.

Gjatë vitit 2025, 42,818 pensionistë i janë shtruar skemës, pasi kanë mbushur moshën dhe kanë lidhur pension pleqërie me Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Referuar të dhënave zyrtare të këtij institucioni,  nga pensionistët që kanë hyrë në skemë gjatë vitit që lamë 22,781 prej tyre janë meshkuj dhe 20,037 janë femra.

Por, si ka ndryshuar masa mesatare mujore për pensionet e reja dhe a po ecën në të njëjtën linjë me kostot e jetesës?

Ajo që vihet re është se masa mesatare mujore e një pensionisti për gjininë mashkullore është 18,335  nga 18,021 lekë në muaj që rezultonte në vitin 2024, ndërsa masa mesatare mujore për gjininë femërore është  14,383  nga 15,438 lekë në muaj që ishte një vit më parë, duke pësuar rënie.  Për të dy gjinitë se bashku, pensioni mesatar llogaritet në 16,486 nga 17,013 lekë në muaj që rezultonte në 2024.

Në raport me një vit më parë, pensioni mesatar i përfituar është ulur me 526 lekë.

Hendeku i përfitimeve midis meshkujve dhe femrave evidentohet ndër vite, gjë që lidhet drejtpërdrejt me hendekun e pagave në tregun e punës  midis dy gjinive. Duke qenë se pensioni llogaritet në bazë të kontributeve të derdhura mbi pagën, sa më e ulët të ketë qenë ajo, aq më e vogël është vlera e përfituar.

Nga ana tjetër, sa i takon numrit të pensioneve të mbyllura, rezulton se gjatë 2025-ës janë 13,718 pensionistë që kanë humbur jetën, duke bërë që numri real i shtesës të jetë 29.100 pensionistë.

Koha mesatare e gëzimit të pensionit është 23 vite, duke pësuar rritje në raport me dy vitet e fundit.

Zhvillimet demografike të publikuara në Censin2023, qartazi evidentojnë se popullsia në moshën 60+ përbën ¼ e popullatës në Shqipëri, trend i cili po thellohet gjithnjë e më shumë për shkak të plakjes së popullsisë, rënies së lindshmërisë dhe fenomenit të emigrimit.

Qeveria ka miratuar planin e moshimit 2025-2030 ku parashikon disa ndërhyrje me qëllim rritjen e të ardhurave për këtë kategori, si përfshirjen e pensionit të 13-të, rritjen me 50 %  të masës së pensionin mesatar në Shqipëri si dhe ndryshimin e formulës së indeksimit, për të ofruar më shumë mbështetje për pensionistët me të ardhura të ulëta.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat