Shqipëria Postuar më 10 Korrik 2026, 18:44

Shqipëria, hap me rëndësi në rrugën drejt BE, mbyllen negociatat për tre kapitujt e parë për anëtarësim

Nga SCAN TV

Shqipëria, hap me rëndësi në rrugën drejt BE, mbyllen

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian në Bruksel ka miratuar sot Pozicionin e Përbashkët të BE për mbylljen provizore të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Ky vendim përfaqëson një vlerësim të qartë politik për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në reformat dhe transformimin europian dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Miratimi nga Komiteti i Përhershëm COREPER afirmon rezultatet konkrete të reformave të ndërmarra në vite, nivelin e avancuar të përafrimit të ligjeve me ata të Bashkimit Europian dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për avancimin e Agjendës Europiane Shqipëria 2030.

Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.

Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit.

Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”.

Konferenca Ndërqeveritare e 14 korrikut 2026 në Bruksel, shënon mbylljen provizore të negociatave për anëtarësim të 3 kapitujve, duke çuar Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Vendimi përbën edhe një sinjal të fortë politik të mbështetjes së Bashkimit Europian për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat