Analiza Postuar më 8 Qershor 2026, 12:59

Më pak kërkues shkencorë në Shqipëri/ Universitetet publike mbeten zgjedhja kryesore, femrat kryesojnë numrin

Nga Eldiona Serani

Më pak kërkues shkencorë në Shqipëri/ Universitetet

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, numri i studentëve që diplomohen në programet e doktoraturës në Shqipëri mbetet në nivele të ulëta, pavarësisht një rritjeje të lehtë të shënuar gjatë vitit të fundit. Të dhënat tregojnë se doktoratura vazhdon të jetë niveli i arsimit me numrin më të vogël të të diplomuarve në vend.

Nëse analizohen shifrat ndër vite, vihet re një rënie e ndjeshme e numrit të diplomimeve në doktoraturë krahasuar me fillimin e dekadës. Në vitin 2021 u diplomuan 393 studentë në programet e doktoraturës ose ekuivalentet e tyre, ndërsa në vitin 2025 numri ra në vetëm 34. 

Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 31 diplomime në doktoraturë, viti 2025 shënoi një përmirësim modest me tre diplomime më shumë. Edhe pse rritja është minimale, ajo mund të konsiderohet si një sinjal i lehtë pozitiv pas disa viteve me shifra tepër të ulëta.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se programet e doktoraturës vijojnë të dominohen nga universitetet publike. Nga 34 studentët e diplomuar në vitin 2025, plot 24 kanë përfunduar studimet në universitetet shtetërore, ndërsa vetëm 10 në universitetet private. Kjo tregon se institucionet publike mbeten destinacioni kryesor për ata që zgjedhin të ndjekin studimet e nivelit më të lartë akademik.

Një tjetër element interesant që del nga statistikat është dominimi i femrave në këtë kategori diplomimesh. Në vitin 2025, nga 34 doktorantët e diplomuar, 26 ishin gra dhe vetëm 8 ishin burra. Kjo do të thotë se më shumë se tre të katërtat e diplomimeve në doktoraturë i përkasin femrave, duke konfirmuar trendin e viteve të fundit ku gratë po përfaqësohen gjithnjë e më shumë në nivelet më të larta të arsimit universitar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat