Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 11:55

Amnistia penale pritet të lirojë rreth 10% të të burgosurve - Gogu: Më shumë mundësi për rehabilitim

Nga Edel Strazimiri

Amnistia penale pritet të lirojë rreth 10% të të burgosurve

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin e ri “Për dhënie amnistie”, duke theksuar se zbatimi i tij pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të numrit të personave që vuajnë dënimin në institucionet penitenciare.

Sipas ministrit, aktualisht kapaciteti i sistemit të burgjeve në vend është 5 292 vende, ndërsa numri i personave të akomoduar arrin në 4 769. Me hyrjen në fuqi të amnistisë, pritet që popullata e burgjeve të reduktohet me rreth 10%.

“Vlerësimet tona tregojnë se pas zbatimit të këtij ligji do të kemi një ulje afërsisht 10% të numrit të të dënuarve në sistemin penitenciar”, deklaroi Gogu para deputetëve.

Megjithatë, ministri sqaroi se reduktimi i numrit të të burgosurve nuk është objektivi kryesor i nismës ligjore. Sipas tij, përfitimi më i madh lidhet me mundësinë për të përmirësuar kushtet dhe cilësinë e trajtimit për personat që do të vijojnë të qëndrojnë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Ky nuk është qëllimi themelor i amnistisë, por është një efekt pozitiv që na krijon më shumë hapësira dhe mundësi për të ofruar trajtim më cilësor për të dënuarit e tjerë”, u shpreh ai.

Gogu nënvizoi gjithashtu se koncepti i drejtësisë nuk duhet të kufizohet vetëm te ndëshkimi, por edhe te vlerësimi i momentit kur masa e dënimit ka arritur qëllimin e saj.

“Drejtësia nuk matet vetëm me aftësinë për të ndëshkuar. Ajo matet edhe me aftësinë për të kuptuar kur dënimi e ka përmbushur funksionin e vet dhe kur shoqëria mund të ofrojë një mundësi të re integrimi”, deklaroi ministri.

Projektligji për amnistinë pritet të shqyrtohet më tej në Kuvend, ndërsa qeveria argumenton se ai do të ndikojë pozitivisht në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit social të kategorive përfituese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat