Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 11:52

Nis projekti EU4FoodSafety: 13.5 milionë euro për forcimin e sigurisë ushqimore në Shqipëri

Nga Edel Strazimiri

Nis projekti EU4FoodSafety: 13.5 milionë euro për forcimin e

Në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore u prezantua në Tiranë projekti EU4FoodSafety, një iniciativë e re që synon përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore në Shqipëri dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit kombëtar me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian me 12.5 milionë euro dhe mbështetet gjithashtu nga qeveria gjermane me një fond shtesë prej 1 milion eurosh. Zbatimi i tij do të realizohet në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ dhe institucionet shqiptare që operojnë në fushën e sigurisë ushqimore.

Gjatë aktivitetit, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, e cilësoi nismën si një hap të rëndësishëm në forcimin e sistemit të kontrollit ushqimor dhe në përshpejtimin e reformave që lidhen me integrimin evropian.

“Siguria ushqimore është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me besimin e konsumatorëve dhe me zhvillimin e sektorit agroushqimor. Përmirësimi i standardeve ndikon drejtpërdrejt edhe në aftësinë e prodhuesve shqiptarë për të konkurruar në tregjet evropiane”, u shpreh ministri.

Salla theksoi se institucionet shqiptare po vijojnë punën për modernizimin e sistemeve të kontrollit dhe inspektimit, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, projekti do të ndihmojë në adresimin e sfidave ekzistuese përmes masave konkrete që synojnë rritjen e nivelit të sigurisë ushqimore në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit.

Në aktivitet mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili nënvizoi rëndësinë e krijimit të një sistemi të besueshëm që garanton produkte të sigurta për konsumatorët.

“Siguria ushqimore është një e drejtë bazë e çdo qytetari. Qëllimi ynë është të mbështesim Shqipërinë në ngritjen e një sistemi modern kontrolli, me laboratorë, inspektorë dhe shërbime veterinare që funksionojnë sipas standardeve evropiane”, deklaroi Gonzato.

Ai shtoi se përmes EU4FoodSafety do të forcohen mekanizmat e monitorimit dhe kontrollit në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, duke rritur njëkohësisht cilësinë e produkteve shqiptare dhe mundësitë për eksport në tregjet e BE-së.

Sipas përfaqësuesve të projektit, investimet në laboratorë, ekspertizë teknike dhe trajnime profesionale do të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi më efikas për parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve ushqimore. Përfitimet pritet të ndihen si nga konsumatorët, përmes garancive më të mëdha për sigurinë e ushqimit, ashtu edhe nga fermerët dhe bizneset, të cilët do të kenë mundësi të rrisin standardet dhe konkurrueshmërinë e tyre.

Projekti EU4FoodSafety konsiderohet një komponent i rëndësishëm i procesit të integrimit evropian, pasi mbështet zbatimin e reformave dhe standardeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian në fushën e sigurisë ushqimore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat