Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 10:20

‘Financim deri në 200 mijë lekë’ - Skema Kombëtare 2026 mbështet ripopullimin e ujërave me peshk!

Nga Edel Strazimiri

‘Financim deri në 200 mijë lekë’ - Skema

Subjektet që ushtrojnë aktivitet në fushën e akuakulturës do të kenë edhe këtë vit mundësinë të përfitojnë mbështetje financiare për ripopullimin e ujërave të brendshme me rasate peshku, në kuadër të Skemës Kombëtare 2026.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka njoftuar se masa synon të mbështesë shtimin e fondit peshkor në liqene, rezervuarë dhe ekosisteme të tjera ujore, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të peshkimit dhe akuakulturës.

Sipas kushteve të skemës, përfituesit mund të marrin financim në masën 50% të vlerës së shpenzimeve të dokumentuara me faturë tatimore për blerjen e rasateve të peshkut. Mbështetja financiare për çdo aplikant mund të arrijë deri në 200 mijë lekë.

Kjo ndërhyrje synon jo vetëm ruajtjen dhe pasurimin e rezervave peshkore në ujërat e brendshme, por edhe forcimin e aktivitetit ekonomik të operatorëve që investojnë në këtë sektor. Ekspertët vlerësojnë se ripopullimi i ujërave ndikon pozitivisht në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese të akuakulturës.

AZHBR u bën thirrje të gjithë të interesuarve të aplikojnë pranë strukturave përkatëse dhe të përfitojnë nga mbështetja e ofruar. Për informacion të detajuar mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit, fermerët dhe subjektet mund të drejtohen pranë Agropikave ose zyrave rajonale të ekstensionit bujqësor.

Skema Kombëtare 2026 përfshin një paketë të gjerë mbështetëse për sektorin bujqësor dhe rural, me 9 masa financimi dhe 3 skema investimesh, të orientuara drejt rritjes së prodhimit, përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat