Shqipëria Postuar më 28 Qershor 2026, 10:40

Rama në Gdansk: Rindërtimi i Ukrainës dhe zgjerimi i BE-së janë pjesë e së njëjtës strategji

Nga SCAN TV

Rama në Gdansk: Rindërtimi i Ukrainës dhe zgjerimi i BE-së

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën për rindërtimin e Ukrainës, të zhvilluar në Gdansk të Polonisë, ku në fokus ishin mbështetja për Kievin dhe arkitektura e ardhshme e sigurisë europiane.

Rama deklaroi se Shqipëria rikonfirmoi qëndrimin e saj në mbështetje të Ukrainës, ndërsa nënvizoi se procesi i rindërtimit të vendit dhe afrimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian nuk duhet të trajtohen si çështje të ndara.

Sipas tij, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës duhet të konsiderohet pjesë e së njëjtës qasje strategjike për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në kontinent.

“Rindërtimi i Ukrainës dhe afrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Moldavinë dhe Ukrainën, në Bashkimin Europian, nuk duhen parë si dy procese të ndara”, deklaroi Rama në Podkastin “Flasim".

Kreu i qeverisë theksoi se këto procese lidhen me objektivin për një Europë më të bashkuar, më të qëndrueshme dhe më të sigurt.

Konferenca mblodhi përfaqësues politikë dhe institucionalë për të diskutuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën, financimin e rindërtimit dhe bashkëpunimin mes vendeve europiane për përballimin e sfidave të sigurisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat