Shqipëria Postuar më 30 Qershor 2026, 11:14

Ndërtimi, nën vëzhgim gjatë pikut të vapës - Inspektoriati në terren, Muçaj: Rigorozitet në zbatimin e masave të sigurisë

Nga Diamila Leka

Ndërtimi, nën vëzhgim gjatë pikut të vapës -

Me rritjen e temperaturave, Inspektorati Shtetëror i Punës ka kaluar nga faza e ndërgjegjësimit në atë të kontrolleve në terren. Krahas përdorimit të Pajisjeve të Mbrojtjes Individuale, inspektimet do të fokusohen te respektimi i protokolleve të sigurisë që lidhen drejtpërdrejt me ekspozimin ndaj vapës.

Punëdhënësve u kërkohet të shmangin punën gjatë orëve të pikut dhe ta zhvendosin aktivitetin kryesisht në mëngjes herët ose në orët e pasdites.

“Inspektorati i Punës e ka pasur sektorin e ndërtimit dhe vazhdon ta ketë në një fokus të veçantë. Në periudha të ndryshme, vlerësimi i rrezikut në këtë sektor është i ndryshëm, por vëmendja mbetet gjithmonë aty. Ne sapo kemi përfunduar një fushatë intensive, e cila ka qenë e fokusuar te ndërgjegjësimi për përdorimin e Pajisjeve të Mbrojtjes Individuale (PMI). Pas kësaj faze, tashmë i ka lindur vendi inspektimeve në terren. Fokusi i inspektimeve aktuale: Përveç kontrollit të mirëpërdorimit të pajisjeve të mbrojtjes individuale, në këtë periudhë inspektimet do të kenë në fokus zbatimin e parametrave dhe të protokolleve të sigurisë që lidhen direkt me temperaturat e larta”, shprehet Eljo Muçaj, Kryeinspektor i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.

Por cilat janë masat që duhet të ndërmerren në situatën e temperaturave të larta?

“Protokolli i Sigurisë për Temperaturat e Larta përfshin. Përshtatja e orarit të punës. Punëdhënësit duhet të përshtatin orët e punës me ato fasha orare ku ekspozimi ndaj diellit është më i ulët (kryesisht në orët e para të mëngjesit dhe në orët e pasdites). Ambiente të freskëta dhe pushime. Sigurimi i ambienteve të freskëta dhe dhënia e kohës për pushime të shpeshta gjatë kulmit të nxehtësisë. Hidratimi. Sigurimi i pandërprerë i ujit të pijshëm për punonjësit. Mbrojtja specifike. Përdorimi i kremrave mbrojtës dhe pajisjeve të mbrojtjes individuale të përshtatshme për temperaturat e nxehta. Gjej vendin t'iu bëj thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në fushën e ndërtimit që të jenë rigorozë në zbatimin e këtyre masave. Të merren të gjitha masat e nevojshme, përfshirë edhe gatishmërinë për ndihmën e shpejtë në raste të veçanta, ku duhet t'u gjendemi pranë punëtorëve që mund të kenë nevojë për ndihmë më të shpejtë. Ndërtimi është pjesë e planeve tona dhe, e lidhur kjo edhe me fushatën e mëparshme, rreth 150 kantierë ndërtimi do të inspektohen gjatë kësaj periudhe, pasi gjatë fazës paraprake u evidentuan mangësi të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë. Kështu që inspektimet do të vazhdojnë, Inspektorati i Punës do të jetë në terren dhe kjo do të shoqërohet me njoftime të herëpashershme, së bashku me këshillat e nevojshme, për të pasur një ambient pune të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë punëtorët.”

Inspektorati Shtetëror i Punës njofton se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë periudhës me temperatura të larta, të shoqëruara edhe me këshillime për punëdhënësit dhe punonjësit.

Live TV

Të fundit
Shqipëria 30 Qershor Edel Strazimiri

Kursi i këmbimit/ Rritje e lehtë në tregun valutor

Dollari amerikan ka regjistruar mëngjesin e sotëm një rritje të lehtë të kuotës në raport me një ditë më parë pasi është blerë këtë të martë me 82 lekë dhe......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 30 Qershor Edel Strazimiri

Kursi i këmbimit/ Rritje e lehtë në tregun valutor

Dollari amerikan ka regjistruar mëngjesin e sotëm një rritje të lehtë të kuotës në raport me një ditë më parë pasi është blerë këtë të martë me 82 lekë dhe......