Analiza Postuar më 30 Qershor 2026, 10:30

Turizmi, energjia dhe pronat tërheqin më shumë financim/ Rritet kredia e re për biznesit në Maj. Tregtia humbet terren

Nga Xhorxhina Deda

Turizmi, energjia dhe pronat tërheqin më shumë financim/ Rritet

Kredia e re për biznesin vijoi rritjen edhe në muajin maj, e mbështetur kryesisht nga turizmi, industria përpunuese dhe sektori i energjisë. Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, korporatat jofinanciare private përfituan 25.5 miliardë lekë kredi të re, nga 23 miliardë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 11%.

Megjithëse tregtia me shumicë dhe pakicë vijon të mbajë peshën më të madhe në huamarrjen e bizneseve, financimi për këtë sektor ka shënuar rënie. Në muajin maj, bizneset e tregtisë morën 9.7 miliardë lekë kredi të re, rreth 10.5% më pak se një vit më parë. Kjo tregon se zgjerimi i përgjithshëm i kreditimit është mbështetur nga degë të tjera të ekonomisë.

Rritjen më të fortë ndër sektorët kryesorë e shënoi akomodimi dhe shërbimi ushqimor. Kreditë e reja për bizneset e turizmit arritën në 3.7 miliardë lekë, nga 2.2 miliardë lekë në maj 2025, duke u rritur me 71%. Ecuria pozitive vjen në prag të sezonit turistik veror, kur bizneset rrisin investimet dhe nevojat për financim.

Edhe industria përpunuese ka zgjeruar ndjeshëm huamarrjen. Kreditë e reja për këtë sektor arritën në 3.4 miliardë lekë, ose 51.8% më shumë se një vit më parë. Rritje të fortë shënoi gjithashtu sektori i energjisë elektrike, gazit dhe avullit, ku huamarrja u rrit më shumë se katër herë, duke arritur në 1.5 miliardë lekë.

Megjithëse kreditimi për sektorin e ndërtimit ra me 20%, aktivitetet e pasurive të paluajtshme vijuan të tërheqin më shumë financim bankar. Huaja e re për këtë kategori u rrit me 25.8%, duke arritur në 567.3 milionë lekë. Edhe sektori i bujqësisë tërhoqi më shumë financim bankar në muajin maj, duke u zgjeruar me 112%

Në kahun tjetër, disa sektorë kanë regjistruar tkurrje të ndjeshme të financimit. Kreditë për transportin dhe magazinimin ranë me 75.7%, ndërsa industria nxjerrëse shënoi rënien më të fortë, me 97.1% më pak kredi të reja krahasuar me majin e vitit të kaluar. Edhe ndërtimi regjistroi një tkurrje prej 20%, ndërsa financimi për sektorin e arsimit ra me 91.9%.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se rritja e kredisë për biznesin në muajin maj është mbështetur nga sektorët që lidhen me prodhimin, turizmin dhe energjinë, ndërsa tregtia, edhe pse mbetet përfituesja më e madhe e financimit bankar, nuk është më shtysa kryesore e zgjerimit të huadhënies.

Live TV

Të fundit
Shqipëria 30 Qershor Edel Strazimiri

Kursi i këmbimit/ Rritje e lehtë në tregun valutor

Dollari amerikan ka regjistruar mëngjesin e sotëm një rritje të lehtë të kuotës në raport me një ditë më parë pasi është blerë këtë të martë me 82 lekë dhe......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 30 Qershor Edel Strazimiri

Kursi i këmbimit/ Rritje e lehtë në tregun valutor

Dollari amerikan ka regjistruar mëngjesin e sotëm një rritje të lehtë të kuotës në raport me një ditë më parë pasi është blerë këtë të martë me 82 lekë dhe......