Shqipëria Postuar më 24 Prill 2026, 10:34

Shqiptarët paguan 242 milionë euro taksë qarkullimi - Konsumi rriti të ardhurat në 2025-ën me 28 milionë euro

Nga Elisabeta Dosku

Shqiptarët paguan 242 milionë euro taksë qarkullimi - Konsumi

Qytetarë shqiptarë të cilët kanë një automjet në pronësi apo përdorim, kanë paguar afro 242 milionë euro si taksë qarkullimi gjatë vitit që lamë pas.

Referuar raportit vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve, të ardhurat nga Taksat e Qarkullimit Rrugor dhe Karburantit kanë shënuar një performancë pozitive gjatë 2025-ës, duke reflektuar si rritjen e konsumit, ashtu edhe përmirësimin e administrimit tatimor. Sipas të dhënave, këto të ardhura ishin programuar në nivelin 23.8 miliard lekë, por arkëtimet reale kanë arritur në 24.2 miliard lekë apo 242 milionë euro.

Kjo përkthehet në një tejkalim të planit me rreth 0.4 miliard lekë, ose 1.7% më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht. Ky rezultat tregon një ecuri të qëndrueshme të mbledhjes së të ardhurave, ndikuar nga faktorë të tillë si ecuria e pozitive e sektorit të turizmit,  rritja e përdorimit të mjeteve, kërkesa e shtuar për karburant dhe forcimi i kontrolleve fiskale.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u arkëtuan 21.3 miliard lekë, të ardhurat nga këto taksa janë rritur me 2.8 miliard lekë apo 28 milionë euro, ose 13.4%. Kjo rritje dyshifrore konsiderohet gjithashtu një tregues i rëndësishëm i zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe konsumit të brendshëm, veçanërisht në sektorin e transportit.

Në tërësi, performanca e të ardhurave nga taksat e qarkullimit dhe karburantit përbën një sinjal pozitiv për financat publike, duke kontribuar në rritjen e të ardhurave buxhetore dhe krijimin e hapësirave më të mëdha për investime publike, duke qenë se këto të ardhura shkojnë drejt për së drejti për këtë zë.

Taksa e qarkullimit aplikohet në nivelin 27 lekë për një litër naftë dhe zë një peshë të konsiderueshme të strukturës së çmimit të karburanteve që blejnë qytetarët, pas akcizës dhe TVSH-së.

Taksa e qarkullimit përbën 8.2% të të ardhurave të përgjithshme tatimore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat