Bota Postuar më 24 Prill 2026, 10:24

Pentagoni shqyrton largimin e Spanjës nga NATO - Mendohet për ndëshkime të aleatëve që nuk mbështetën luftën në Iran

Nga Dorian Koça

Pentagoni shqyrton largimin e Spanjës nga NATO - Mendohet për

Një email i brendshëm i Pentagonit zbulon opsionet që Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë për të ndëshkuar aleatët e NATO-s, të cilët nuk kanë ofruar mbështetje të mjaftueshme për operacionet e SHBA-së në luftën me Iranin. Këto përfshijnë pezullimin e anëtarësimit të Spanjës në aleancë dhe shqyrtimin e qëndrimit të SHBA-së mbi pretendimin e Britanisë ndaj Ishujve Falkland, tha një zyrtar amerikan për Reuters.

Memorandumi shpreh zhgënjim me atë që Uashingtoni e quan ngurrim të disa aleatëve për të dhënë të drejta aksesi, bazimi dhe fluturimi mbi tokë, për operacionet në Iran. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se propozimet përfshijnë përjashtimin e vendeve “të vështira” nga pozicionet kyçe në NATO.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s për, siç pretendon ai, moskontributin në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila mbetet e mbyllur për anijet që pas fillimit të sulmeve amerikane-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.

Sipas të njëjtit zyrtar, emaili nuk përmend mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga NATO, as nuk sugjeron mbylljen e bazave amerikane në Evropë. Megjithatë, mbeti e paqartë nëse po shqyrtohej një tërheqje e pjesshme e forcave nga kontinenti.

Zëdhënësi i Pentagonit, konfirmoi se Departamenti i Mbrojtjes po punon për t’i “ofruar presidentit mundësi të besueshme” për të siguruar që aleatët të kontribuojnë në mënyrë kuptimplote.

Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me kohezionin dhe të ardhmen e NATO-s. Analistët dhe diplomatët kanë frikë se SHBA-të mund të mos i përgjigjen një sulmi të mundshëm ndaj vendeve evropiane.

Britania, Franca dhe vende të tjera evropiane besojnë se pjesëmarrja në bllokadën detare amerikane do të ishte e barabartë me përfshirjen e drejtpërdrejtë në luftë. Megjithatë, ato kanë thënë se janë të gatshme të ndihmojnë në ruajtjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas një armëpushimi ose përfundimit të konfliktit.

Zyrtarët e administratës Trump kanë theksuar se “NATO nuk mund të jetë një rrugë me një kah”. Opsionet e përshkruara në email synojnë, sipas zyrtarit, t'u dërgojnë një mesazh të fortë aleatëve evropianë për të "kufizuar ndjenjën e privilegjit". Pezullimi i anëtarësimit të Spanjës në NATO, ndërsa ka ndikim të kufizuar operacional, shihet si dërgim i një mesazhi të fortë politik.

Analiza 23 Prill Karl Bildt

Emergjenca ekonomike e Evropës

Duke gjykuar nga ajo që shihet nga të gjitha takimet e ndryshme të Bashkimit Evropian—në Këshillin Evropian, zyrat e Komisionit Evropian dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat