Shqipëria Postuar më 7 Qershor 2026, 10:18

Rama për projektin në Zvërnec: Investimi do të realizohet, është një bekim për ekonominë shqiptare

Nga Edel Strazimiri

Rama për projektin në Zvërnec: Investimi do të realizohet,

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin e investimit strategjik në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se ai do të ecë përpara dhe se përfaqëson një mundësi të rëndësishme zhvillimi për Vlorën dhe ekonominë shqiptare.

Duke folur për takimin e zhvilluar me banorët e zonës, Rama tha se shqetësimet e ngritura prej tyre lidhen me çështje konkrete pronësie dhe procedurash, por jo me kundërshtimin e vetë investimit.

“Ajo që dëgjova prej tyre nuk ishte një surprizë. Në asnjë moment nuk dëgjova të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Përkundrazi, ndjeva shqetësim që kjo mundësi të mos humbasë”, tha ai.

Kryeministri akuzoi gjithashtu kritikët e projektit se po e përdorin çështjen për interesa të ndryshme politike, ekonomike apo ideologjike, ndërsa argumentoi se investimi po zhvillohet me asistencën e disa prej ekspertëve më të njohur ndërkombëtarë të arkitekturës, urbanistikës dhe mjedisit.

“Projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Është një e mirë e madhe për ekonominë tonë, një bekim për Vlorën dhe një kapërcim epokal për Shqipërinë turistike”, deklaroi Rama.

Sipas tij, investimi pritet të rrisë ndjeshëm profilin ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik dhe të tërheqë kapital të rëndësishëm të huaj në sektorin e turizmit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat