Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2026, 11:16

Nënstacion elektrik nëntokësor në Tiranë - Marrëveshja e garancisë për kredinë 22.5 mln euro, në Kuvend

Nga Ola Mitre

Nënstacion elektrik nëntokësor në Tiranë -

Kredia 22.5 mln euro që do të financojë ndërtimin e nënstacionit nëntokësor 110/20 kV në qendër të Tiranës, do të jetë me garanci shtetërore, teksa marrëveshja ka mbërritur në Kuvend për diskutim.

Sipas relacionit shoqërues, projekti synon modernizimin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë elektrike në kryeqytet, përmes ndërtimit të një nënstacioni të ri nëntokësor, i pari i këtij lloji në Shqipëri.

Investimi konsiderohet i domosdoshëm për shkak të gjendjes së nënstacionit ekzistues pranë sheshit Skënderbej, i cili operon me një transformator të vetëm 80 MVA dhe pa kapacitet rezervë. Autoritetet argumentojnë se infrastruktura aktuale nuk mund të përballojë kërkesën në rritje për energji elektrike në një nga zonat më të rëndësishme të kryeqytetit. Projekti synon zëvendësimin e këtij nënstacioni me një strukturë të re, plotësisht të digjitalizuar, që pritet të përmirësojë cilësinë e furnizimit, sigurinë dhe efikasitetin operacional të rrjetit.

Kredia u miratua nga BERZH gjatë vitit 2025, pasi kostot e projektit pësuan një rritje të konsiderueshme krahasuar me vlerësimet fillestare. Fillimisht, ndërtimi i nënstacionit ishte parashikuar të kushtonte rreth 14.5 milionë euro, por dizajni teknik përfundimtar i përgatitur nga një konsulent i specializuar evidentoi nevojën për rreth 8 milionë euro shtesë. Sipas BERZH, rritja e kostove lidhej kryesisht me presionet inflacioniste mbi çmimet e lëndëve të para, përmirësimin e specifikimeve teknike dhe përfshirjen e kërkesave përfundimtare të projektit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat