Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2026, 13:50

Bypass-i i Tiranës, gati tenderi për fazën III - ARRSH: Punimet në dy lotet e para kanë arritur në rreth 20%

Nga Ola Mitre

Bypass-i i Tiranës, gati tenderi për fazën III - ARRSH: Punimet

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë gati procedurën për tenderimin e fazës së tretë të bypass-it të Tiranës, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore që synon të lehtësojë trafikun në kryeqytet. Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit për këtë kontratë është parashikuar në vlerën e 2.5 miliardë lekëve.

Sipas ARRSH, procedura e prokurimit pritet të hapet gjatë muajit të ardhshëm, pasi të përfundojnë diskutimet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për elementët fundorë, që kanë nevojë për saktësim.

Ndërkohë, punimet kanë nisur tashmë në dy fazat e para të bypass-it. ARRSH raportoi se realizimi fizik i punimeve ka arritur në rreth 18-20%, ndërsa aktualisht po kryhen gërmimet, skarifikimi dhe mbushjet për formimin e trupit të rrugës. Po ashtu vijon ndërtimi i dy urave të parashikuara në këto lote, si dhe profilimi i skarpateve përgjatë gjurmës së projektit.

Për fazën e parë dhe të dytë, vlera e kontratave është 5.9 mld lekë dhe përfshijnë një gjatësi prej rreth 8.2 km.

Bypass-i i Tiranës parashikohet të ketë një gjatësi totale prej 21.6 km dhe do të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me autostradën Tiranë-Elbasan, duke shmangur kalimin e trafikut tranzit përmes kryeqytetit. Traseja nis pranë rrugës Thumanë – Kashar dhe përfundon në Mullet, ndërsa rruga do të ketë dy korsi për secilin drejtim lëvizjeje dhe shpejtësi të lejuar deri në 120 km/h.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat