Shqipëria Postuar më 9 Maj 2022, 10:50

Vrojtimi/ Ndërtimi i jep ‘optimizëm’ ekonomisë! Treguesi: Në rënie besimi për industrinë, shërbimet e tregtinë

Nga SCAN TV

Treguesi i ndjesisë ekonomike vijon të jetë me rënie në vend, çka dëshmon edhe impaktin që kanë zhvillime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare, si lufta në Ukrainë, rritja e çmimeve apo kriza energjetike.

Referuar vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë,  Treguesi i ndjesisë ekonomike vijon të jetë me rënie; tendencë kjo e konstatuar që në fillim të vitit. Rënia e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike, sipas Bankës së Shqipërisë, u përcaktua nga përkeqësimi i besimit në sektorin e industrisë, shërbimeve dhe të tregtisë.

Nga ana tjetër, përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe ai i konsumatorëve, kanë ndikuar në frenimin e prirjes rënëse të Treguesit të Ndjesisë Ekonomike.

Sektorët më ‘pesimistë’; industria, shërbimet dhe tregtia

Referuar vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit të industrisë shënoi rënie me 1.4 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga ecuria në rënie e kontratave porositëse.

Gjithashtu, vlerësimet e bizneseve për prodhimin aktual janë vlerësuar lehtë për poshtë. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen janë në rritje në muajin prill dhe ato për çmimet janë në rënie.

Treguesi i besimit në shërbime  shënoi rënie me 2.9 pikë përqindje në muajin prill, ndikuar nga performanca më e dobët e komponentëve të lidhur me ecurinë e biznesit dhe me kërkesën për shërbime.

Megjithatë, bizneset vlerësojnë në rritje situatën aktuale të punësimit. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve dhe të punësimit në të ardhmen u paraqitën me rënie.

Treguesi i besimit në tregti  ra për të tretin muaj me radhë. Në muajin prill u verifikua një rënie me 2.9 pikë përqindje. Treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet jo të mira të bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre.

Gjithashtu, pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm, për porositë dhe punësimin janë në dobësim në krahasim me ato të muajit të kaluar.

Sektorët më optimistë, ndërtimi dhe konsumi

Treguesi i besimit në ndërtim vijoi të përmirësohet edhe në muajin prill, duke shënuar një vlerë 1.8 pikë përqindje më të lartë se një muaj më parë.

Ky zhvillim u ndikua si nga përmirësimi i balancës për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse. Rënie regjistruan pritjet për nivelin e punësimit, por edhe ato për çmimet, pas rritjes të dy muajve të fundit.

Po ashtu, treguesi i besimit konsumator  shënoi rritje me 1.7 pikë përqindje në muajin prill.

Kjo rritje përmirësoi disi pozicionin e tij kundrejt mesatares afatgjatë, ndonëse ai vijon të mbetet larg tij.

Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për situatën e tyre financiare dhe gjendjen e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen. Pritjet e konsumatorëve për çmimet në të ardhmen pësuan rënie në muajin prill.

Qëllimi i vrojtimeve të besimit është të vlerësojnë aspekte të ndryshme të aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe të konsumatorëve familjarë, duke ndihmuar procesin e analizave periodike të ekonomisë dhe parashikimin afatshkurtër. Rezultatet e vrojtimeve të biznesit dhe të konsumatorit përfaqësojnë gjykime të agjentëve ekonomikë mbi zhvillimet ekonomike në të shkuarën dhe në të ardhmen.

SCAN

Live TV

All - General - 2
Të fundit
Të gjitha lajmet
Desktop - General - 7

Më të vizituarat