Më shumë të diplomuar në universitete/ Vijon të rritet numri i menaxherëve, juristëve dhe inxhinierëve

Sistemi arsimor në Shqipëri ka nxjerrë gjatë vitit akademik 2024-2025 afro 82 mijë e 600 të diplomuar në të gjitha nivelet e arsimit. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se nxënës dhe studentë nga arsimi 9-vjeçar, ai i mesëm dhe arsimi i lartë kanë përfunduar studimet, ndërsa vihet re një rënie e lehtë e diplomimeve në arsimin parauniversitar krahasuar me një vit më parë.
Sipas statistikave, 33.5% e të diplomuarve i përkasin arsimit 9-vjeçar, 31.4% arsimit të mesëm dhe rreth 35% arsimit të lartë. Në total, diplomimet në arsimin parauniversitar kanë rënë me 1.5% krahasuar me vitin e kaluar, duke reflektuar ndryshimet demografike dhe lëvizjet në sistemin arsimor.
Në arsimin 9-vjeçar, shumica e të diplomuarve janë meshkuj, të cilët përbëjnë 52.1% të totalit. Po ashtu, pjesa dërrmuese e nxënësve janë diplomuar në institucione arsimore publike, me 89.3% të totalit, çka tregon se sistemi publik vazhdon të mbajë peshën kryesore të arsimit bazë në vend.
Rënie është regjistruar edhe në arsimin e mesëm, ku numri i të diplomuarve është ulur me 3% krahasuar me vitin e kaluar. Në këtë nivel arsimor, vajzat përbëjnë shumicën e të diplomuarve me 51%. Ndërkohë, arsimi profesional zë 12.3% të diplomimeve totale në arsimin e mesëm, ku dominojnë meshkujt me 84.3% të të diplomuarve. Kjo tregon se djemtë vijojnë të jenë më të orientuar drejt degëve profesionale dhe teknike.
Nga ana tjetër, arsimi i lartë ka shënuar rritje. Gjatë vitit akademik 2024-2025 janë diplomuar afro 28 mijë e 900 studentë, ose 2.6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Shifrat tregojnë një interes të vazhdueshëm për studimet universitare dhe pasuniversitare.
Mbi gjysma e studentëve, konkretisht 50.6%, janë diplomuar në programet Bachelor, ndërsa 43.4% kanë përfunduar programet Master. Po ashtu, femrat dominojnë edhe në arsimin e lartë, pasi 65.3% e të diplomuarve janë vajza dhe gra. Shumica e studentëve, rreth 66.6%, kanë përfunduar studimet në universitete publike.
Sa i përket degëve më të preferuara, fusha “Biznes, administrim dhe ligj” mbetet zgjedhja kryesore e studentëve shqiptarë, ku janë diplomuar 23.3% e totalit të studentëve. Në vend të dytë renditet fusha “Shëndet dhe mirëqenie” me 22.4%, ndërsa “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” zë 14% të diplomimeve në arsimin e lartë.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rënies së lehtë në nivelet parauniversitare, universitetet në Shqipëri vijojnë të prodhojnë një numër të lartë diplomimesh, me prirje të fortë drejt degëve të biznesit, shëndetësisë dhe inxhinierisë.
Live TV
Vendimet e Qeverisë/ Miratohet Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030
Këshilli i Ministrave miratoi një sërë vendimesh në mbledhjen e radhës, mes të cilave Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe planin e......
Program kombëtar për peshkimin dhe akuakulturën/ Rregulla për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave
Këshilli i Ministrave miratoi programin kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe të......
Skema Kombëtare, mbi 21 mijë aplikime të kualifikuara/ 1,265 kërkesa nga fermerët për kompensimin 10% përmes autofaturës
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, ka publikuar listat e aplikimeve të kualifikuara për masat mbështetëse në blegtori dhe bletari, në kuadër të Skemës......
Salla në Hamallaj: Rehabilitimi i hidrovorit rrit sigurinë nga përmbytjet dhe mbron bujqësinë e turizmi
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, inspektuan punimet në Hidrovorin e......

