Analiza Postuar më 15 Korrik 2026, 12:44

Kush i zotëron më shumë aftësitë digjitale në Shqipëri? Vajzat dhe personat me arsim të ulët rezultojnë me përqindjet më të larta

Nga Eldiona Serani

Kush i zotëron më shumë aftësitë digjitale në

Sipas të dhënave të Eurostat, 61.6% e shqiptarëve zotërojnë të paktën aftësi bazike digjitale, ndërsa mosha, gjinia dhe niveli i arsimit rezultojnë të jenë faktorët që ndikojnë më së shumti në këtë tregues.

Danimarka kryeson me 92.1% të të rinjve që zotërojnë të paktën aftësi bazike digjitale, e ndjekur nga Çekia me 91.7% dhe Malta me 91.5%. Në anën tjetër të renditjes, vetëm dy vende të BE-së kanë përqindje nën 60%: Bullgaria me 52.8% dhe Rumania me 53.3%.

Edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor vërehen diferenca të ndjeshme. Serbia renditet e para me 77.1% të popullsisë me aftësi bazike digjitale, ndërsa Maqedonia e Veriut ka rezultatin më të ulët me vetëm 44%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se të rinjtë, veçanërisht ata të grupmoshës 15–24 vjeç, kanë nivele më të larta të aftësive digjitale, ndërsa ekziston edhe një dallim sipas gjinisë. Në Shqipëri, rreth 64% e vajzave të kësaj grupmoshe zotërojnë të paktën aftësi bazike digjitale, krahasuar me 58% të djemve. I njëjti trend vihet re edhe në shumicën e vendeve europiane, ku vajzat e reja rezultojnë më të afta në përdorimin e teknologjisë dhe mjeteve digjitale.

Në nivel të Bashkimit Europian, ky model u evidentua në 22 vende. Diferencat më të mëdha në favor të grave të reja u regjistruan në Qipro, Slloveni dhe Austri, ndërsa vetëm pesë vende raportuan një përqindje më të lartë të djemve me aftësi bazike digjitale, me Maltën dhe Rumaninë që shfaqën avantazhin më të madh në favor të meshkujve.

Një tjetër tregues interesant lidhet me nivelin e arsimit. Sipas të dhënave të Eurostat për Shqipërinë, personat me arsim të ulët rezultojnë të kenë nivelin më të lartë të aftësive bazike digjitale, me 66%, të ndjekur nga ata me arsim të mesëm me rreth 63%. Ndërkohë, vetëm 51.5% e personave me arsim të lartë formal raportohen se zotërojnë aftësi bazike digjitale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat