Shqipëria Postuar më 15 Korrik 2026, 12:43

Koçiu: Shqipëria po ndërton një industri moderne të mbrojtjes me investime dhe partneritete strategjike

Nga SCAN TV

Koçiu: Shqipëria po ndërton një industri moderne të

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se Shqipëria po rrit investimet në sektorin e mbrojtjes dhe po ndërton një industri moderne ushtarake, ndërsa përgatitet të mirëpresë Samitin e NATO-s në vitin 2027.

“Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s në 2027, një arritje që reflekton besimin e aleatëve dhe rolin gjithnjë e në rritje të vendit në sigurinë euroatlantike. Ky angazhim po mbështetet me investime konkrete, rritje të kapaciteteve dhe zhvillimin e një industrie moderne të mbrojtjes,” u shpreh Koçiu.

Ajo theksoi se në kantierin e ndërtimit të Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, po realizohet një investim prej 13.2 milionë eurosh, i cili, sipas saj, shkon përtej prodhimit të uniformave dhe pajisjeve ushtarake.

“Investimi prej 13.2 milionë eurosh, pjesë e marrëveshjes fillestare me MSSC Group, hap një drejtim të ri strategjik për Shqipërinë,” tha Koçiu.

Duke iu referuar angazhimeve të Shqipërisë në NATO, zëvendëskryeministrja nënvizoi se qeveria ka rritur financimin për mbrojtjen.

“Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, kemi miratuar 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e rritur financimin në 2.6% të PBB-së në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s,” deklaroi ajo.

Koçiu vlerësoi se Shqipëria ka potencial të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes, falë traditës në manifakturë, fuqisë punëtore të kualifikuar dhe afërsisë me tregjet evropiane.

Ajo bëri të ditur se Guna Tactical ka krijuar 1200 vende të reja pune dhe ka nënshkruar tre kontrata për furnizimin me veshje të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për periudhën 2026–2028.

Sipas Koçiut, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes po mbështetet edhe nga partneritete të tjera strategjike.

“Së bashku me TIMAK Defence dhe me ‘Myslym Keta Defence’ po krijohet një zinxhir i integruar i industrisë së mbrojtjes shqiptare, i mbështetur nga partneritete strategjike që sjellin investime, teknologji dhe punësim të kualifikuar,” tha ajo.

Duke u ndalur te bashkëpunimi me Fincantieri, Koçiu theksoi se përmes KAYO-s Shqipëria po hyn në një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin e mjeteve lundruese, me synim edhe eksportin.

“Aktiviteti në Pashaliman do të rrisë kapacitetet e Forcës Detare dhe do ta pozicionojë vendin si një pikë referimi për mirëmbajtjen dhe prodhimin e anijeve për partnerët e NATO-s,” u shpreh ajo.

Në përfundim, Koçiu tha se “ky është vizioni ynë për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, ekonominë dhe integrimin në zinxhirët ndërkombëtarë të teknologjisë dhe prodhimit.”

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat