Shqipëria Postuar më 15 Qershor 2026, 12:55

Shqiptarët mbeten të “lidhur” me rrjetet sociale/ Platformat rikthejnë rritjen dhe vazhdojnë të dominojnë komunikimin online

Nga Scan TV

Shqiptarët mbeten të “lidhur” me rrjetet sociale/

Rrjetet sociale vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të shqiptarëve, duke u përdorur për komunikim, argëtim, informim dhe gjithnjë e më shumë edhe për aktivitet ekonomik. Sipas të dhënave më të fundit nga DataReportal, në fund të vitit 2025 Shqipëria regjistroi rreth 1.35 milionë identitete përdoruesish të rrjeteve sociale.

Të dhënat tregojnë se numri i përdoruesve të platformave sociale ka ndryshuar ndjeshëm gjatë periudhës tetor 2023 dhe tetor 2025. Në fund të vitit 2023, Shqipëria kishte rreth 1.25 milionë përdorues, ndërsa vetëm pak muaj më vonë, në janar 2024, shifra u rrit ndjeshëm duke arritur në 1.53 milionë, një rritje prej 23% krahasuar me periudhën e mëparshme.

Kjo rritje e shpejtë tregon zgjerimin e përdorimit të platformave sociale dhe ndikimin që kanë pasur telefonat inteligjentë dhe interneti i aksesueshëm në sjelljen online të qytetarëve. Megjithatë, pas kulmit të fillimit të vitit 2024, numri i përdoruesve nisi të pësonte një ulje graduale.

Në prill 2024 u regjistruan rreth 1.51 milionë përdorues, ndërsa në korrik numri zbriti në 1.43 milionë. Në tetor të po këtij viti, përdoruesit aktivë të identifikuar në platformat sociale ranë në rreth 1.37 milionë.

Fillimi i vitit 2025 solli një përmirësim të lehtë të situatës, me një rritje në 1.41 milionë përdorues në janar, por më pas tendenca u kthye sërish në rënie. Në prill 2025 numri ishte rreth 1.38 milionë, ndërsa në korrik u ul në 1.30 milionë përdorues, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta të periudhës së analizuar.

Megjithatë, të dhënat e tetorit 2025 tregojnë një rikthim të interesit të shqiptarëve ndaj mediave sociale. Numri u rrit në 1.35 milionë përdorues, ose rreth 3.8% më shumë krahasuar me tremujorin paraardhës.

Kjo lëvizje tregon se, pavarësisht ndryshimeve të vazhdueshme në sjelljen digjitale, rrjetet sociale mbeten një pjesë e pandashme e përditshmërisë. Platformat si Instagram, Facebook, TikTok dhe të tjera janë kthyer në mjete kryesore jo vetëm për komunikim personal, por edhe për marketing, promovim biznesi dhe krijim përmbajtjeje.

Një tjetër element i rëndësishëm është se shifrat e raportuara përfaqësojnë identitete përdoruesish dhe jo domosdoshmërisht persona unikë, pasi një individ mund të ketë më shumë se një llogari në platforma të ndryshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat