Shqipëria Postuar më 7 Janar 2026, 13:21

Punimet për korridorin VIII rrugor - ARRSH bën gati tenderin për spostimin e linjave të tensionit të lartë

Nga Ola Mitre

Punimet për korridorin VIII rrugor - ARRSH bën gati tenderin për

Spostimi i linjave të tensionit të lartë në korridorin 8 do të kushtojë rreth 116.7 mln lekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë gati tenderin për kompaninë që do të kryejë këtë shërbim, duke lejuar avancimin e punimeve në këtë segment të rëndësishëm rrugor.

Korridori 8 konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, ndërsa aktualisht është duke u punuar në 14 lote.

Më konkretisht në drejtimin nga Elbasani në Qafë – Thanë punohet në 8 lote me një gjatësi prej 26 km, teksa ecuria e secilit prej tyre është e ndryshme. Ndërkohë që në drejtimin Elbasan – Lekaj punohet në 6 lote të tjerë, që mbulojnë rreth 20 km, nga 40.7 km që është në total. Edhe në këto segmente ecuria e punimeve është e ndryshme, por autoritetet kanë deklaruar se punimet kryhen me lehtësi për shkak të terrenit fushor. Ky segment nis në afërsi të ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës.

Pjesë e korridorit VIII është edhe bypassi-i i Elbasanit, që nuk është tenderuar ende.

Pas përfundimit të punimeve ky aks do të jetë rrugë e kategorisë B, interurbane me nga 2 korsi në secilin krah, ndërsa referuar dokumenteve shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 - 140 km/orë.

Korridori 8 do të lidhë portet e Italisë, me portet e Varnës dhe Burgasit në Bullgari duke kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në territorin shqiptar ai shtrihet në rreth 154 km.

Live TV

All - General - 2
Të fundit
Të gjitha lajmet
Desktop - General - 7

Më të vizituarat