Shqipëria Postuar më 15 Qershor 2026, 12:58

Ç’ndodh nëse bizneset nuk plotësojnë certifikimet e BE? - Bajraktari: Integrimi do të nxjerrë jashtë loje sipërmarrjet që nuk formalizohen

Nga Diamila Leka

Ç’ndodh nëse bizneset nuk plotësojnë certifikimet e

Tregu shqiptar po përballet me një udhëkryq të rëndësishëm sa i përket formalizimit dhe përshtatjes me rregullat e Bashkimit Evropian. Për një pjesë të madhe të bizneseve të vogla dhe atyre familjare, të cilat deri më sot kanë mbijetuar përmes kostove të ulëta që ofron informaliteti, e ardhmja po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Por çfarë do të ndodh me ato biznese që nuk do të plotësojnë kushtet për certifikime?

"Mendoj që bizneset e vogla, që janë biznese familjare dhe që janë duke mbijetuar vetëm sepse kostot e tyre janë më të ulëta për shkak të informalitetit... këto janë biznese që në afatgjatë nuk do të mbijetojnë. Përveç pjesës së standardizimit, procedurave që BE-ja ia kërkon, këto do duhet të kenë edhe bazën e deklarimit të pagave, deklarimit të punonjësve, pagesës së taksave do të vetë një problematikë shumë e madhe për ta dhe besoj do shkojnë drejt shuarjes."

Nëse për një kategori ky tranzicion dhe rritje e kontrollit paralajmëron mbyllje, për një pjesë tjetër të sipërmarrjes po kthehet në një shtysë pozitive drejt modernizimit. Bizneset që synojnë qëndrueshmërinë po e shfrytëzojnë këtë moment për të ridizajnuar strategjitë e tyre, duke synuar jo vetëm tregun vendas, por edhe atë evropian.

"Ndërsa bizneset e tjera pastaj do të përshtaten dhe besoj është një mundësi shumë e mirë që bizneset që duan rritjen, në afatgjatë do mundohen të krijojnë produkte dhe shërbime të reja në mënyrë që të rrisin të ardhurat, të rrisin bazën e klientëve dhe të përshtaten me atë se çfarë tregu evropian kërkon... Besoj se mund t'i bëjë më të forta dhe mund të kenë mundësi edhe për të shkallëzuar aktivitetin e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj."

Në finale, rruga drejt standardizimit evropian mbetet e vetmja alternativë për një ekonomi të shëndoshë dhe konkurruese. Ndërsa bizneset më të brishta duhet të gjejnë rrugën e formalizimit për të mbijetuar, pjesa tjetër e tregut po përgatitet për një epokë të re, ku ligjshmëria dhe inovacioni do të bëjnë diferencën.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat