Analiza Postuar më 28 Maj 2026, 13:06

Shqipëria, ndër rritjet më të forta të startup-eve në Europë/ StartupBlink e rendit vendin të 75-in në botë, me zgjerim vjetor prej 71.1%

Nga Eldiona Serani

Shqipëria, ndër rritjet më të forta të startup-eve

StartupBlink ka publikuar indeksin global mbi inovacionin për startup-et, ku Shqipëria ka shënuar një nga përmirësimet më të forta në Europë. Sipas Raportit Global të Ekosistemit të Startup-eve 2026, vendi ynë renditet në vendin e 75-të në botë, me një rritje vjetore prej 71.1%.

Shqipëria është ngjitur me tetë vende në renditjen globale, duke regjistruar kërcimin më të madh të barabartë mes vendeve evropiane dhe të tretin më të madh në botë. Me këtë performancë, vendi rikthehet në top 80-shen globale të ekosistemeve të startup-eve, ndërsa shënon rritjen e katërt më të lartë në Europë.

Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cilësoi këtë rezultat si një konfirmim të reformave dhe investimeve të ndërmarra në sektorin e inovacionit.

“Sot Shqipëria është një histori krejt ndryshe nga ajo e një viti më parë. Renditja si vendi i katërt me rritjen më të shpejtë në Evropë është një konfirmim ndërkombëtar se strategjia jonë po funksionon: investime publike, reforma të thella dhe mbështetje për sipërmarrësit tanë. Ekosistemi shqiptar i inovacionit dhe startup-eve po shndërrohet në një motor real të ekonomisë,” u shpreh Ibrahimaj.

Përmirësimi në renditje vjen pas një sërë masash të ndërmarra gjatë dy viteve të fundit, si krijimi i agjencisë “Startup Albania” dhe konsolidimi i politikave të inovacionit nën Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Raporti vlerëson se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për përmirësimin e klimës së biznesit, përmes thjeshtimit të procedurave, rishikimit të rregulloreve dhe rritjes së hapjes ndaj investimeve të huaja. Dixhitalizimi i proceseve të regjistrimit dhe licencimit ka lehtësuar nisjen e bizneseve të reja, duke krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të favorshëm për sipërmarrësit duke bërë që Shqipëria të renditet e 60-ta mes 125 vendeve të analizuara në disa tregues specifikë të ekosistemit të startup-eve. Në nivel rajonal, vendi pozicionohet i dyti, pas Serbisë.

Megjithatë, raporti evidenton se qasja në kapital dhe infrastruktura financiare mbeten ndër sfidat kryesore. Kjo kategori mat disponueshmërinë e kredive, aksesin në investime dhe lidhjen me sistemin financiar. Pavarësisht kësaj, tregues si norma e taksës së korporatave, hapja tregtare dhe mundësia për huamarrje vlerësohen pozitivisht dhe kontribuojnë në performancën e përgjithshme të vendit.

Tirana mbetet i vetmi qytet shqiptar i përfshirë në renditjen e StartupBlink. Sipas raportit, zgjerimi i qendrave të inovacionit dhe startup-eve edhe jashtë kryeqytetit konsiderohet prioriteti kryesor për fazën e ardhshme të zhvillimit të ekosistemit shqiptar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat