Analiza Postuar më 2 Qershor 2026, 11:55

Çfarë po ndodh me moshën në Shqipëri? Nga fëmijët, te të rinjtë. Vendi po humbet brezat e rinj. Shtohen të moshuarit

Nga Xhorxhina Deda

Çfarë po ndodh me moshën në Shqipëri? Nga

Ndërsa numri i banorëve bie nga viti në vit, ndryshimet më të dukshme po shfaqen në strukturën sipas moshës, ku grupmoshat e reja po pakësohen, ndërsa pesha e të moshuarve po rritet vazhdimisht.

Një analizë e të dhënave sipas grupmoshave tregon se rënia e popullsisë prek pothuajse të gjithë brezin e ri. Fëmijët e grupmoshës 0-4 vjeç ranë nga 107 mijë në 104 mijë, ose me 2.3%, ndërsa grupmosha 5-9 vjeç shënoi një tkurrje edhe më të fortë, prej 3.9%. Rënie ka edhe tek grupmoshat 10-14 dhe 15-19 vjeç, duke konfirmuar vazhdimësinë e tendencës së uljes së lindshmërisë në vend.

Tkurrja vazhdon edhe te të rinjtë në moshë pune. Grupmosha 20-24 vjeç ra me 3.9%, ndërsa ajo 25-29 vjeç me 4.4%. Edhe grupmosha 30-34 vjeç regjistroi një rënie prej 4.7%, një nga më të lartat mes grupmoshave aktive ekonomikisht. Këto shifra pasqyrojnë ndikimin e emigracionit dhe lëvizjes së të rinjve drejt vendeve të tjera në kërkim të mundësive më të mira të jetesës dhe punësimit.

Ndryshe paraqitet panorama te grupmoshat e mëdha. Numri i personave 65-69 vjeç u rrit me 2.5%, ndërsa grupmosha 70-74 vjeç me 6%. Rritje të ndjeshme shënuan edhe personat 75-79 vjeç, të cilët u shtuan me mbi 8%, ndërsa grupmosha 85 vjeç e lart u rrit me rreth 8.3%, duke arritur në mbi 43 mijë banorë.

Ndërkohë, mosha mediane e popullsisë është rritur nga 44.3 në 45 vjeç, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve ka arritur në 35.7%, tregues që dëshmojnë se Shqipëria po përballet me një proces të përshpejtuar plakjeje demografike.

Të dhënat tregojnë se vendi po humbet gradualisht brezat e rinj, ndërsa pesha e popullsisë së moshuar po bëhet gjithnjë e më e madhe. Ky zhvillim pritet të ketë ndikim afatgjatë në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe strukturën ekonomike të vendit, duke e kthyer plakjen e popullsisë në një nga sfidat kryesore demografike të viteve në vijim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat