Shqipëria Postuar më 13 Qershor 2026, 10:33

Produktet “Made in Albania” kërkojnë “pasaportë” për në BE/ Cilat janë skemat mbështetësë të Strategjisë industriale 2026-2030?

Nga Diamila Leka

Produktet “Made in Albania” kërkojnë

Strategjia Kombëtare Industriale 2026–2030 e vendos cilësinë, certifikimin dhe përputhshmërinë teknike si kushte kryesore për rritjen e eksporteve dhe integrimin e industrisë shqiptare në zinxhirët europianë të vlerës.

Në praktikë, kjo do të thotë se produktet shqiptare duhet të jenë të testuara, të certifikuara dhe të përputhshme me kërkesat teknike të tregut europian. Për shumë ndërmarrje, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, kjo përbën një kosto shtesë, pasi kërkon investime në teknologji, laboratorë, sisteme menaxhimi cilësie, paketim, etiketim dhe gjurmueshmëri të produktit.

Strategjia parashikon forcimin e sistemit kombëtar të standardizimit, akreditimit, testimit dhe mbikëqyrjes së tregut. Qëllimi është që certifikatat shqiptare të vlerësimit të konformitetit të njihen më gjerësisht dhe produktet vendase të kenë më shumë besueshmëri në tregjet ndërkombëtare.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për sektorët eksportues, ku konkurrenca nuk bëhet vetëm me çmim, por edhe me cilësi, siguri, standarde mjedisore dhe aftësi për të respektuar kontratat me partnerët europianë. Pa këto elemente, bizneset shqiptare rrezikojnë të mbeten në segmente me vlerë të ulët, edhe nëse prodhojnë për tregje të huaja.

Një tjetër sfidë lidhet me kapacitetet institucionale. Për të lehtësuar bizneset, nuk mjafton vetëm kërkesa për standarde më të larta, por duhen edhe shërbime funksionale testimi, certifikimi dhe akreditimi brenda vendit. Një produkt i certifikuar, i gjurmueshëm dhe i përshtatur me kërkesat e BE-së ka më shumë mundësi të hyjë në tregje me çmime më të mira dhe me kontrata më të qëndrueshme.

Për këtë arsye, Strategjia Industriale synon që eksportet shqiptare të mos mbështeten vetëm te kostoja e ulët, por te cilësia, besueshmëria dhe standardet. Sfida kryesore mbetet zbatimi: nëse bizneset do të kenë mbështetje reale për të përballuar kostot e certifikimit dhe modernizimit, standardet mund të kthehen nga pengesë në avantazh konkurrues.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat