Shqipëria Postuar më 25 Korrik 2026, 10:21

KPP, dominojnë ankesat për vendorët/ Institucionet lokale kryesojnë me procedurat e kontestuara

Nga Diamila Leka

KPP, dominojnë ankesat për vendorët/ Institucionet lokale

Mbi 142 milionë lekë janë kursyer në buxhetin e shtetit gjatë muajit qershor, si rezultat i vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik. Të dhënat e buletinit mujor tregojnë se pjesa më e madhe e ankimeve lidhet me fazën e vlerësimit të ofertave.

Gjatë qershorit, pranë KPP-së u regjistruan 140 ankesa, të gjitha për procedura të prokurimit publik. Nga këto, 98 kundërshtonin vlerësimin e ofertave, 40 dokumentet standarde të tenderit dhe dy ankesa lidheshin me faza të tjera të procesit.

Kontratat për blerjen e mallrave rezultojnë më të kontestuarat, me 80 ankesa, të ndjekura nga shërbimet me 46 dhe punët publike me 14 ankesa.

Nga 140 ankimet e depozituara, 113 lidhen me procedura unike prokurimi. Peshën më të madhe e mbajnë tenderët e institucioneve të pushtetit vendor, me 62 procedura, ndërsa 34 ankesa lidhen me shoqëritë aksionere, 12 me institucionet qendrore dhe pesë me institucionet e pavarura.

Komisioni i Prokurimit Publik mori në total 91 vendime. Nëpërmjet 86 vendimeve të themelit u shqyrtuan dhe u zgjidhën 110 ankesa të operatorëve ekonomikë. Nga vendimmarrja, 58 ankesa u pranuan, ndërsa 40 nuk u pranuan.

Koha mesatare për shqyrtimin e një ankese ishte 10 ditë. Procedurat për punë publike u shqyrtuan mesatarisht brenda tri ditëve, ndërsa ato për mallra dhe shërbime brenda 13 ditëve. Vetëm 5.45% e ankesave u trajtuan jashtë afatit.

Sipas KPP-së, vendimet e marra gjatë qershorit sollën një kursim prej rreth 142.6 milionë lekësh për buxhetin e shtetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat