Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2026, 10:44

Sa kushton një Airbnb në periferi të Tiranës? Investimet në vila kanë rritur kërkesën, Bërzhita rezulton më e shtrenjta

Nga Eldiona Serani

Sa kushton një Airbnb në periferi të Tiranës? Investimet

Përveç qendrës së Tiranës, e cila vijon të mbetet pika kryesore e interesit për turistët, vitet e fundit edhe zonat periferike të kryeqytetit po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. Investimet në akomodime cilësore, hapja e bizneseve të reja dhe zhvillimi i zonave rekreative kanë bërë që shumë turistë të zgjedhin periferinë, duke kërkuar më shumë qetësi, natyrë dhe privatësi larg ritmit të vrullshëm urban.

Të dhënat e AirDNA tregojnë se në disa prej këtyre zonave çmimet mesatare të akomodimit në Airbnb janë edhe më të larta se në zona të tjera të kryeqytetit. Arsyeja lidhet me faktin se oferta dominohet nga vila të investuara, shtëpi pushimi dhe prona me standarde të larta, të cilat ofrojnë më shumë hapësirë, pamje panoramike dhe shërbime shtesë për vizitorët.

Një nga zonat që spikat është Bërzhita, e cila rezulton të ketë çmimin më të lartë mesatar ditor për një Airbnb. Sipas AirDNA, një natë akomodimi kushton mesatarisht 158 dollarë, ndërsa pronat arrijnë një normë zënieje prej 44% gjatë vitit. Edhe pse frekuentimi është disi më i ulët se në zona të tjera, niveli i lartë i çmimeve tregon se prona të tilla synojnë një segment turistësh që kërkojnë luks, qetësi dhe eksperienca më ekskluzive.

Një tjetër destinacion që vazhdon të tërheqë interes është Dajti. Në këtë zonë, çmimi mesatar i një Airbnb është rreth 71.7 dollarë për natë, ndërsa norma e zënies së pronave arrin në 49%. Kombinimi i natyrës me distancën e shkurtër nga qendra e Tiranës e bën Dajtin një alternativë tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Edhe Farka po shfaq performancë pozitive në tregun e akomodimit afatshkurtër. Sipas të dhënave, çmimi mesatar i një Airbnb arrin në rreth 76 dollarë për natë, ndërsa norma e frekuentimit është 54%, një nga më të lartat mes zonave periferike.

Ndërkohë, Kashari, i cili vitet e fundit ka njohur zhvillim të shpejtë me investime të shumta në komplekse banimi dhe pallate të reja, paraqet çmime më të përballueshme. Sipas AirDNA, një natë akomodimi kushton mesatarisht 69 dollarë, ndërsa norma e zënies së pronave arrin në 53%. Afërsia me qendrën e Tiranës, infrastruktura e përmirësuar dhe çmimet konkurruese e kanë bërë këtë zonë një zgjedhje më të preferuar për vizitorët që kërkojnë një alternativë më ekonomike pa u larguar shumë nga kryeqyteti.

Të dhënat tregojnë se turizmi në Tiranë nuk po përqendrohet më vetëm në qendër. Me zhvillimin e infrastrukturës, investimet në akomodime cilësore dhe rritjen e interesit për eksperienca më të qeta e më pranë natyrës, periferia e kryeqytetit po fiton një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në tregun e Airbnb dhe në ofertën turistike të Tiranës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat