Bota Postuar më 24 Korrik 2026, 10:43

Rritja ekonomike globale do të ngadalësohet në 1.3% - BB: Vendet në zhvillim do të goditen më fort, nga rritja e boxhit dhe inflacionit

Nga Lidion Kulla

Rritja ekonomike globale do të ngadalësohet në 1.3% - BB: Vendet

Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të “ushqejë” inflacionin, të rrisë normat e interesit dhe të ulë rritjen globale në 1.3%, nga 2.9% vitin e kaluar. Paralajmërimi është bërë nga kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill, në një intervistë për Reuters.

Gill tha se Banka Botërore kishte modeluar tre skenarë në parashikimin ekonomik të qershorit, duke pasur parasysh pasigurinë e lartë që rrethon luftën në Lindjen e Mesme, por skenari më i keq me armiqësi që zgjasin gjashtë muaj ose më shumë, tashmë është pranë realizimit. Sipas këtij skenari, inflacioni global do të arrinte në 4.5%.

Luftimet e zgjatura dhe dëmtimi i infrastrukturës së naftës në rajon, do të thellonin gjithashtu pasigurinë ushqimore duke ndërprerë dërgesat e plehrave kimikë, heliumit dhe squfurit të nevojshëm në bujqësi, duke shkaktuar një zinxhir efektesh dytësore që mund të përfshijnë norma më të larta interesi, tha Gill. Komentet e tij ishin të parat nga një zyrtar i lartë i Bankës Botërore, që nga rritja e ndjeshme e tensioneve midis Uashingtonit dhe Teheranit dhe mosrespektimi i marrëveshjes së armëpushimit të prillit, që kishte ushqyer shpresat për një ndikim më të moderuar në ekonominë globale.

Por, lufta u përshkallëzua në 2 javët e fundit, me forcat amerikane që bombarduan objektiva në jug dhe perëndim të Iranit, ndërsa Teheran u kundërpërgjigj duke goditur bazat amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani. Transporti detar në Ngushticën e Hormuzit mbetet i bllokuar, ndërsa militantët e Huthi në Jemen, që janë të lidhur me Iranin, njoftuan një bllokadë detare ndaj dërgesave të Arabisë Saudite përmes ngushticës Bab el-Mandeb që të çon në Detin e Kuq.

Gill tha se vendet e varfra, që nuk ishin rikuperuar nga pandemia e COVID-19 mund të përballen me pasiguri më të madhe ushqimore, ndërsa kombet me nivele të larta borxhi do të goditen nga rritja e kostove të huamarrjes, duke cënuar shpenzimet për arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera jetësore.

Parashikimi i Bankës Botërore sugjeron se 40% e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë tashmë në vështirësi borxhi, ose në rrezik të lartë për t'u futur në vështirësi. Raporti mesatar i borxhit ndaj PBB-së për vendet në zhvillim ishte rreth 74% në vitin 2025, shumë më lart se shifra 50 apo 55% para pandemisë që filloi në fund të vitit 2019. Për vendet me të ardhura të ulëta, ky raport është rritur në 67%, nga rreth 40% që ishte në fund të 2019-ës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat