Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2026, 10:37

Falen 332 milionë euro detyrime të bizneseve/ Anti-informaliteti, Tatimet: 932 milionë euro më shumë në dy vitet e fundit

Nga Elisabeta Dosku

Falen 332 milionë euro detyrime të bizneseve/ Anti-informaliteti,

Reforma ani-informalitet e ndërmarrë intensivisht në dy vitet e fundit, ka prodhuar edhe rezultate konkrete duke reflektuar rritje të të ardhurave buxhetore, zgjerim të bazës së tatimpaguesve dhe forcim të luftës kundër evazionit fiskal.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, deri më 30 qershor 2026 janë regjistruar zhvillime të rëndësishme që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit dhe konsolidimin e financave publike.

Një nga treguesit kryesorë është rritja e të ardhurave në buxhet. Gjatë dy viteve të fundit janë mbledhur 932 milionë euro më shumë, si rezultat i kombinimit të rritjes ekonomike dhe masave për luftën ndaj evazionit fiskal. Sipas Administratës Tatimore, këto të ardhura krijojnë më shumë hapësirë fiskale për financimin e politikave sociale, përfshirë mbështetjen për rritjen e pensioneve.

Ndërkohë, Ligji i Faljes ka prodhuar një interes të konsiderueshëm nga bizneset dhe individët. Deri më tani 122 mijë tatimpagues kanë përfituar nga kjo nismë, ndërsa janë falur detyrime tatimore me një vlerë totale prej 332 milionë eurosh. Tatimet e konsiderojnë këtë proces si një mundësi për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes administratës dhe tatimpaguesve, duke nxitur respektimin vullnetar të detyrimeve fiskale në prag të integrimit europian të vendit.

Një tjetër instrument që synonte rritjen e formalizimit ishte dhe paketa e “Paqes Fiskale”. Deri tani janë lidhur 19 marrëveshje për periudhën tatimore 2026, të çilat u japin mundësi subjekteve ekonomike të rregullojnë situatën e tyre tatimore në mënyrë vullnetare. Administrata Tatimore thekson se kjo skemë mbështet bizneset që zgjedhin të formalizohen dhe të zhvillojnë aktivitetin në përputhje me legjislacionin.

Ndërkohë, administrata tatimore kanë ritheksuar se qasja ndaj evazionit fiskal mbetet e pandryshuar. Politika e "zero tolerancë" ndaj shkeljeve do të vijojë të zbatohet, ndërsa kontrollet dhe monitorimi do të përqendrohen te subjektet që shmangin detyrimet ligjore.

Formalizimi i ekonomisë është një element kyç për rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e klimës së investimeve dhe forcimin e stabilitetit fiskal. Një ekonomi më e formalizuar jo vetëm rrit të ardhurat e shtetit, por mbështet zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat