Shqipëria Postuar më 19 Maj 2026, 11:01

Bizneseve u falen mbi 462 milionë euro detyrime - Si ndahet stoku i borxhit tatimor sipas vjetërsisë

Nga Elisabeta Dosku

Bizneseve u falen mbi 462 milionë euro detyrime - Si ndahet stoku i borxhit

Bizneset do të përfitojnë mbi 460 milionë euro detyrime tatimore të falura përmes ligjit për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore, i cili ka nisur aplikimin nga data 15 maj 2026.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve,  gjendja e detyrimeve tatimore deri në fund të 2025-ës arrin në 194.4 miliard lekë. Gjatë vitit 2025, detyrimet tatimore kanë pësuar një rritje neto 31.89 miliardë lekë nga Janari në Dhjetor,  ose thënë ndryshe është rritur stoku i detyrimeve me 19.6%, rreth 24.6 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin paraardhës.

Në total, në stokun e borxhit sipas vjetërsisë, rezulton se borxhi mbi 10 vjet zë 23.8% ndaj totalit, e përkthyer në vlerë monetare afro 46.2 miliardë lekë apo mbi 462 milionë euro, detyrim ky i cili preket nga ligji i faljes dhe fshihet automatikisht nga sistemi. Nga falja peken detyrime, gjoba dhe kamatvonesa të krijuara deri në Dhjetor të vitit 2014.

Por bizneset nuk janë përfitues vetëm të këtij detyrimi të falur, pasi do të aplikohet falje e principalit nga 25-50 për qind për detyrimet e krijuara nga viti 2015 deri në vitin 2019, nëse detyrimet paguhen brenda qershorit apo dhjetorit 2026, si dhe do të fshihen plotësisht gjobat dhe kamatvonesat.

Sipas të dhënave të tatimeve, borxhi nga 5-10 vjet, zë 36.6% ndaj totalit të stokut apo 71.2 miliardë lekë, ku përfitojnë një pjesë e mirë e debitorëve.

Nga ana tjetër, borxhi 2-5 vjet ka një vlerë prej 28 miliardë lekësh; 1-2 vjet, 10 miliardë lekë; 6-12 muaj, 8 miliardë lekë; 3-6 muaj, 9.8 miliardë lekë; si dhe borxhi deri në 3 muaj kap një vlerë prej 21 miliardë lekësh.

Tatimpaguesit Aktivë zënë 41% të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë prej 66.9 miliardë lekë ose 34% të vlerës totale të borxhit.

Tatimpaguesit Pasivë zënë 59% të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë prej 127 miliardë lekë ose 66% të vlerës totale të borxhit.

Sipas administratës tatimore, gjatë vitit 2025, rritja e detyrimeve tatimore të shtuara lidhet ngushtësisht me intensifikimin e aksioneve të administratës tatimore për evidentimin e rasteve të evazionit tatimor, veçanërisht në sektorin e hidrokarbureve dhe në sektorë të tjerë me risk. Si rezultat, janë konstatuar detyrime në vlera të konsiderueshme, të cilat kanë ndikuar në rritjen e stokut të borxhit tatimor. Fshirja e detyrimeve tatimore fillon nga 10 qershori 2026.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat