Shqipëria Postuar më 19 Maj 2026, 10:21

Titujt qeveritarë, jo fitimprurës për qytetarët - AMF: Interes i ulët për të investuar paratë në bono thesari dhe obligacione

Nga Ledina Elezi

Titujt qeveritarë, jo fitimprurës për qytetarët - AMF:

Ekzistojnë disa instrumente ku shqiptarët mund të investojnë paratë e tyre, një ndër to edhe titujt qeveritarë. Pavarësisht se bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente me risk të ulët, shqiptarët vijojnë të mos shfaqin shumë interes për t’i përdorur.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në tremujorin e parë të 2026 janë kryer në total 2,370 transaksione nga individët në tregun primar të titujve të qeverisë, me një rënie prej rreth 18% krahasuar me tremujorin e parë 2025, kur totali i tyre ishte 2,876. Një ulje e tillë e numrit të transaksioneve është shoqëruar edhe me uljen e volumit të parave të investuara në bono thesari e obligacione të Qeverisë nga qytetarët.

Individët kanë blerë në tregun primar, pra nga blerjet direkte për herë të parë të titujve qeveritarë përmes ankandeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë, rreth 7.8 miliardë lekë letra me vlerë të qeverisë. Rënia është 15% krahasuar me tremujorin e parë të 2025, kur totali i investimeve nga individët ishte 9.3 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, vëllimi i tregut sekondar të titujve të Qeverisë të realizuara jashtë Burse për vitin e kaluar, i cili përfshin shitjen e titujve ndërmjet bankave, fondeve dhe investitorëve të tjerë individualë, pasi janë blerë fillimisht nga Banka e Shqipërisë dhe para përfundimit të afatit të tyre, u dominua në masën 48% nga transaksione në instrumente afatgjatë (obligacione) dhe 52%  nga transaksionet në instrumenta afatshkurtër (bono thesari).

Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 85% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë jashtë Burse, i takojnë atyre të kryera në bono thesari. Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë jashtë Burse dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Bonot e thesarit janë instrumente financiare afatshkurtër me maturim 3, 6 dhe 12 mujor, ndërsa obligacionet janë instrumente me maturitet afatmesëm dhe afatgjatë. 

Për të investuar në bono thesari dhe obligacione, qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë direkte në ankandet e Bankës së Shqipërisë ose të investojnë në mënyrë indirekte përmes fondeve të investimeve, të pensioneve dhe institucioneve të tjera të autorizuara për investim në këto instrumente.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat