Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2026, 12:08

BE vlerëson progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave dhe fondeve të paraanëtarësimit

Nga Edel Strazimiri

BE vlerëson progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave

Bashkimi Evropian ka vlerësuar pozitivisht progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave dhe përdorimin e fondeve të paraanëtarësimit, gjatë dy mbledhjeve të monitorimit të zhvilluara në Tiranë më 9 dhe 10 qershor.

Takimet, të bashkëkryesuara nga Koordinatorja Kombëtare e IPA-s dhe Planit të Rritjes, Eridana Çano, dhe përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Sigrid Brettel, shqyrtuan ecurinë e Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF) dhe Instrumentit për Ndihmën e Paraanëtarësimit (IPA), të cilët mbështesin procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Sipas të dhënave të prezantuara, Shqipëria ka përfunduar 21 nga 41 hapat e reformave në periudhën e parë të raportimit dhe 12 nga 21 hapat në periudhën e dytë. Si rezultat i këtij progresi, Bashkimi Evropian ka disbursuar deri tani 213 milionë euro nga paketa totale prej 922 milionë eurosh, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi se Plani i Rritjes përfaqëson një instrument të rëndësishëm për transformimin afatgjatë të administratës dhe politikave publike, ndërsa raportimi i radhës në korrik do të jetë një test i rëndësishëm për kapacitetet administrative të vendit.

Nga ana e saj, Sigrid Brettel vlerësoi rezultatet e arritura dhe inkurajoi vijimin e reformave, duke nënvizuar se Komisioni Evropian do të akordojë fonde shtesë për vendet e Ballkanit Perëndimor me performancën më të mirë.

Komisioni Evropian theksoi se ruajtja e ritmit të reformave dhe koordinimi efektiv institucional do të jenë vendimtarë për disbursimet e ardhshme dhe avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë Komisionit të Përvitshëm të Monitorimit të IPA-s u shqyrtua gjithashtu zbatimi i rreth 150 projekteve të financuara nga BE-ja në fusha të ndryshme. Që prej vitit 2007, Bashkimi Evropian ka dhënë mbi 1.9 miliardë euro grante për Shqipërinë, ndërsa së bashku me investimet e mobilizuara përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, mbështetja totale arrin në rreth 4.7 miliardë euro.

BE-ja mirëpriti nisjen e projekteve të reja në fushat e antikorrupsionit, mjedisit, qeverisjes vendore dhe sigurisë ushqimore, si dhe miratimin e 100 milionë eurove të reja në kuadër të programit IPA 2025-2027 për shtetin e së drejtës, drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë.

Megjithatë, Komisioni evidentoi edhe sfida që kërkojnë vëmendje të shtuar, përfshirë forcimin e kapaciteteve administrative, përmirësimin e procedurave të kontraktimit, menaxhimin financiar dhe përshpejtimin e zbatimit të programeve madhore në fushat e transformimit digjital, eficiencës së energjisë dhe punësimit të të rinjve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat