Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2026, 10:00

Pas aksidentit tragjik, DPSHTRR reagon: Dy shtetasit egjiptianë nuk kishin leje drejtimi shqiptare

Nga Scan TV

Pas aksidentit tragjik, DPSHTRR reagon: Dy shtetasit egjiptianë nuk kishin

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka reaguar pas lajmeve të publikuara në media lidhur me pretendimet se dy shtetas egjiptianë, Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali, janë pajisur me leje drejtimi shqiptare dhe dokumentacion profesional për drejtimin e autobetonierëve.

Në një deklaratë zyrtare, institucioni bën të ditur se, pas verifikimeve të kryera në regjistrat elektronikë dhe bazat zyrtare të të dhënave, ka rezultuar se asnjëri prej dy shtetasve nuk është pajisur nga DPSHTRR me leje drejtimi shqiptare. Gjithashtu, sipas institucionit, ata nuk janë pajisur as me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) për profilin "Automakinist".

DPSHTRR sqaron se DAP "Automakinist" është dokumenti profesional i domosdoshëm për drejtimin e automjeteve për përdorim të veçantë, ku përfshihen edhe autobetonierët. Legjislacioni shqiptar përcakton se drejtuesit e këtyre mjeteve duhet të jenë të pajisur jo vetëm me kategorinë përkatëse të lejes së drejtimit, por edhe me Dëshminë e Aftësisë Profesionale për këtë profil.

Institucioni thekson gjithashtu se, sipas Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, shtetasit e huaj kanë të drejtë të drejtojnë automjete në territorin shqiptar me leje drejtimi të vlefshme të lëshuara nga autoritetet e vendit të tyre për një periudhë deri në një vit, sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Për këtë arsye, fakti që një shtetas i huaj drejton një automjet në Shqipëri nuk do të thotë se ai është pajisur me leje drejtimi shqiptare.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Shqipëria nuk ka marrëveshje dypalëshe reciprociteti me Republikën Arabe të Egjiptit për njohjen apo konvertimin e lejeve të drejtimit. Egjipti nuk bën pjesë në listën e shteteve me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fuqi për njohjen e ndërsjellë dhe konvertimin e këtyre dokumenteve.

Për rrjedhojë, DPSHTRR i cilëson të pavërteta pretendimet se Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali janë pajisur nga ky institucion me leje drejtimi shqiptare ose me Dëshmi Aftësie Profesionale për profilin "Automakinist".

Në përfundim, DPSHTRR rithekson se të gjitha procedurat për pajisjen me leje drejtimi, Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP), Certifikatë Kompetence Profesionale (CKP) dhe dokumente të tjera të transportit rrugor kryhen vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi. Institucioni shprehet se mbetet në dispozicion të organeve ligjzbatuese për çdo verifikim të nevojshëm në kuadër të hetimeve dhe u bën thirrje mediave dhe opinionit publik t'u referohen fakteve zyrtare të verifikuara përpara publikimit të pretendimeve që mund të cenojnë pa bazë veprimtarinë institucionale

Europa 23 Korrik Dorian Koça

BE i vendos Google gjobë prej 890 milionë euro

Komisioni Evropian njoftoi të enjten një gjobë prej 890 milionë euro kundër Google për praktikat e dyshuara të vetëpreferencës dhe trajtimin e padrejtë të......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat