Shqipëria Postuar më 15 Korrik 2026, 10:53

Cili qark mban rekord për numrin e pensionistëve? - Mbi 641 mijë të moshuar, harta e pensioneve urbane dhe rurale në Shqipëri

Nga Elisabeta Dosku

Cili qark mban rekord për numrin e pensionistëve? - Mbi 641 mijë

Skema e pensioneve po përballet me një presion në rritje për shkak se numri i pensionistëve në Shqipëri po shtohet gradualisht dhe kjo për shkak të plakjes së popullsisë, fenomenit të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë.

Por si rezulton harta e pensioneve urbane dhe rurale në Shqipëri dhe kush është qarku më i plakur?

Referuar të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, numri i pensioneve urbane të pleqërisë arrin 562,924 me rritje prej 37.503 pensionistë në raport me 2024-ën.

Qarku me numrin më të lartë të pensionistëve është Tirana me 148,087pensionistë, kjo edhe për shkak se ka numrin më të lartë të popullsisë në shkallë vendi, duke regjistruar dukshëm një kapërcim me qarqet e tjera. Më pas renditet Qarku Fier me 66,911 pensionistë, Vlora regjistron 55,849, ndjekur nga qarku Korçë me 52,142 pensionistë, Qarku Durrës me 52,148 dhe Elbasan me 45,439 pensionistë.

Qarku me numrin më të ulët të pensionistëve urbanë është Kukësi me vetëm 9,086 individë të moshuar që gëzojnë përfitime financiare.

Sa i takon pensioneve të pleqerisë në fshat, në total numri në fund të vitit 2025 ka arritur në  78,161 nga 82,146, duke pësuar rënie me 3985 pensionistë në një vit.

Qarku me numrin më të lartë është sërish Tirana me 12,658 pensionistë të cilët përfitojnë mbështetje financiare, ndjekur nga Qarku Fier me 10,731 pensionistë dhe më pas renditet qarku i Elbasanit me  9,273 pensionistë.

Edhe sa i takon pensioneve rurale, qarqet më me pak përfitues janë Gjirokastra me 3,362 dhe Kukësi me 2,503 pensionistë.

Ndërkohë, pensioni mesatar mujor në qytet ka arritur në 20,123 lekë në muaj dhe në fshat 12,313 lekë në muaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat