Bota Postuar më 15 Korrik 2026, 10:52

Stripe dhe Advent, ofertë 53 mld USD për PayPal - Kompania është përballur me konkurrencë të fortë në vitet e fundit

Nga Lidion Kulla

Stripe dhe Advent, ofertë 53 mld USD për PayPal - Kompania

Kompania e pagesave, Stripe dhe shoqëria e investimeve private, Advent International kanë bërë një ofertë të përbashkët për të blerë PayPal për 60.50 dollarë për aksion, në një marrëveshje që do ta vlerësonte kompaninë e pagesave në më shumë se 53 miliardë dollarë, thanë dy persona të njohur me çështjen.

Oferta, e paraqitur më herët këtë muaj, mbështetet nga rreth 50 miliardë dollarë financim të premtuar nga bankat dhe përfaqëson një premium prej rreth 28% ndaj çmimit të mbylljes së aksioneve të PayPal të martën. Advent nuk pranoi të komentonte çështjen, ndërsa PayPal dhe Stripe nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për një koment.

Propozimi vjen pas një ofertë të mëparshme të bërë në fillim të prillit. Stripe dhe Advent nuk kanë marrë një përgjigje nga PayPal dhe po kërkojnë të çojnë përpara diskutimet në javët e ardhshme. Sipas propozimit, Stripe dhe Advent do ta zotërojnë së bashku PayPal, me secilën kompani që do të mbante një pjesë të barabartë, në vend që ta ndanin kompaninë.

E themeluar në fund të viteve 1990, PayPal ishte një lojtar i hershëm në pagesat dixhitale, por është përballur me konkurrencë në rritje pasi konsumatorët kanë përqafuar metoda alternative të pagesave dhe rivalët si Apple Pay dhe Google Pay kanë fituar pjesë të tregut.

PayPal i ka shpenzuar vitet e fundit duke u përballur me ngadalësim të rritjes dhe intensifikimin e konkurrencës në pagesat dixhitale, duke zhdukur pjesën më të madhe të vlerës në treg, që fitoi gjatë pandemisë. Kapitalizimi i tregut të kompanisë arriti kulmin në rreth 360 miliardë dollarë në vitin 2021 dhe ra në afërsisht 36 miliardë dollarë këtë vit. PayPal ka humbur më shumë se 40% të vlerës së tregut gjatë 12 muajve të fundit.

Pasi mori detyrën në mars, CEO i PayPal, Enrique Lores, nisi një transformim gjithëpërfshirës, për të thjeshtuar procesin e pagesave dhe për tu fokusuar te rritja e kompanisë. Në prill, PayPal i ndau operacionet në tre njësi që mbulonin arkëtimet, shërbimet financiare për konsumatorët Venmo, pagesat dhe kriptovalutat, ndërkohë që bëri një sërë ndryshimesh në menaxhim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat