Shqipëria Postuar më 6 Qershor 2026, 11:04

Shqiptarët po lexojnë më shumë lajme online - Vendet nordike dominojnë renditjen, Shqipëria regjistron një rritje të lehtë të lexuesve

Nga Eldiona Serani

Shqiptarët po lexojnë më shumë lajme online - Vendet nordike

Interneti po konsolidohet gjithnjë e më shumë si burimi kryesor i informacionit në botë dhe Shqipëri. Të dhënat më të fundit nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë se 63.87% e përdoruesve të internetit në Shqipëri lexojnë faqe lajmesh, gazeta ose revista online, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin 2024, kur kjo përqindje ishte 62.75%.

Rritja mund të duket modeste, por ajo konfirmon një trend të qëndrueshëm drejt informimit përmes platformave digjitale. Ndryshimet në mënyrën e konsumimit të informacionit, përhapja e telefonave inteligjentë dhe aksesi më i lehtë në internet kanë bërë që gjithnjë e më shumë qytetarë të ndjekin zhvillimet e ditës përmes mediave online.

Megjithatë, Shqipëria vazhdon të mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian. Në vitin 2025, mesatarja e 27 vendeve anëtare të BE-së arriti në 66.41%, duke u rritur nga 65.05% një vit më parë. Kjo do të thotë se, edhe pse shqiptarët po i drejtohen gjithnjë e më shumë internetit për t’u informuar, ritmi i përdorimit të mediave online mbetet disi më i ulët se ai i vendeve europiane.

Në nivel europian, liderët e padiskutueshëm mbeten vendet nordike dhe disa shtete të Europës Veriore. Finlanda kryeson renditjen me 89.63% të përdoruesve që lexojnë lajme online, e ndjekur nga Irlanda me 86.66%, Çekia me 86.98% dhe Qipro me 85.49%. Këto vende karakterizohen nga nivele të larta të përdorimit të internetit dhe një traditë e fortë e konsumimit të informacionit përmes platformave digjitale.

Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta në Europë regjistrohen në Rumani (58.84%), Francë (55.94%), Itali (54.35%) dhe Turqi (53.22%), duke treguar se zakonet e informimit ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

Një nga arsyet që Shqipëria mbetet nën mesataren europiane mund të lidhet edhe me rolin që televizioni vazhdon të ketë në informimin e qytetarëve. Ndryshe nga shumë vende të Europës Perëndimore, ku mediat online janë kthyer në burimin kryesor të lajmeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat