Shqipëria Postuar më 14 Maj 2026, 12:48

ODIHR kërkon transparencë për financimin e partive - Opinion urgjent për projektligjin: Rregulla më të qarta për donatorët  

Nga Fabjona Pasho

ODIHR kërkon transparencë për financimin e partive - Opinion

ODIHR ka publikuar një opinion urgjent të ndërmjetëm për projektligjin shqiptar mbi financimin e partive politike, ku vlerëson si pozitiv synimin për të krijuar një kuadër më të plotë për transparencën, raportimin financiar dhe kontrollin e financave politike, por njëkohësisht evidenton edhe një sërë boshllëqesh që sipas institucionit duhet të adresohen për të garantuar zbatim efektiv të ligjit.

Në dokument thuhet se projektligji sjell disa risi të rëndësishme, si krijimi i një platforme elektronike për raportim financiar në kohë reale, forcimi i detyrimeve për transparencë, kufizime më të forta për burimet e financimit dhe transaksionet cash, si dhe zgjerimi i kompetencave mbikëqyrëse të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po ashtu, projektligji parashikon rregulla më të detajuara për shpërndarjen e fondeve publike, përfshirë stimuj që lidhen me barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e të rinjve në politikë.

Sipas ODIHR-it, nëse zbatohet në mënyrë efektive, ligji mund të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit dhe në krijimin e kushteve më të barabarta për partitë politike, por raporti paralajmëron se mbeten disa rreziqe që mund të cenojnë funksionimin e sistemit. Një prej shqetësimeve kryesore lidhet me financimet indirekte dhe mundësinë e shmangies së rregullave përmes donacioneve të fshehura apo financimeve nga palë të treta.

Në këtë kuadër, ODIHR rekomandon ndalimin e donacioneve të bëra në emër të personave të tjerë, deklarimin e profesionit dhe punëdhënësit të donatorëve, si dhe transparencë mbi pronësinë përfituese të kompanive që financojnë partitë politike. Gjithashtu, kërkohen rregulla më të qarta për kreditë ndaj partive, kontributet në natyrë dhe publikimin e raporteve financiare.

Raporti evidenton edhe nevojën për harmonizim më të qartë mes projektligjit dhe Kodit Zgjedhor, për të shmangur mbivendosjet dhe paqartësistë ligjorë, ndërsa theksohet se zbatimi I reformës do të varet në masë të madhe nga kapacitetet financiare, njerëzore dhe hetimore të KQZ.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat