Shqipëria Postuar më 21 Maj 2026, 10:18

Më shumë para’ për sigurinë e bankave - Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arriti në 8.22 mld lekë në prill

Nga Ledina Elezi

Më shumë para’ për sigurinë e bankave - Fondi i

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që përdoret për shpëtimin e bankave tregtare në rast falimentimi, apo krizash financiare, ka arritur në 8.22 miliardë lekë. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, në prill 2026, bankat tregtare derdhën 1.18 miliardë lekë në Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Ky kontribut vjetor, i nënti në radhë gjatë periudhës 2018-2026, u pagua i plotë dhe në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sektorit, deri në datën 30 prill 2026.

Banka e Shqipërisë përllogarit çdo vit kontributin vjetor që sektori bankar do të paguajë për arritjen e nivelit të synuar të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Për të përmbushur nivelin e synuar të fondit, kontributet paguhen në përpjesëtim me vitet që mbeten deri në 2027. Që prej 2018, kontributi që paguajnë bankat ka ardhur duke u rritur nga viti në vit, ndërsa synohet që deri në 2027, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme të arrijë në 9.4 miliardë lekë.

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme është krijuar në vitin 2018 dhe administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Paratë që derdhin bankat çdo vit në Fond, investohen nga kjo Agjenci në tituj të Qeverisë Shqiptare dhe depozita një javore e llogari rrjedhëse pranë Bankës së Shqipërisë. Gjatë 2025, mjetet financiare me vlerë nominale 6.9 miliard lekë u investuan të gjitha në letra me vlerë të Qeverisë Shqiptare dhe depozita një javore e llogari rrjedhëse pranë Bankës së Shqipërisë.

Kontributi vjetor i paguar nga Bankat për vitet 2018-2025 është në shumën 5.04 miliard lekë.

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve, kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme etj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat