Shqipëria Postuar më 29 Prill 2026, 10:12

Lancohet fushata kombëtare në ndërtim: “Vende Pune të Shëndetshme”

Nga SCAN TV

Lancohet fushata kombëtare në ndërtim: “Vende Pune të

Siguria në punë në sektorin e ndërtimit hyn në një fazë të re angazhimi institucional. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka lancuar zyrtarisht fushatën kombëtare të ndërgjegjësimit dhe inspektimit në këtë sektor, nën sloganin “Vende Pune të Shëndetshme”, duke vendosur në qendër mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë institucionalë dhe të industrisë së ndërtimit, u theksua nevoja për forcimin e menjëhershëm të kulturës së sigurisë në punë, në një sektor që mbetet ndër më të ekspozuarit ndaj aksidenteve. Fushata synon të adresojë këtë sfidë përmes promovimit dhe zbatimit të detyrueshëm të Pajisjeve të Mbrojtjes Individuale (PMI), si një element kyç për parandalimin e rreziqeve dhe garantimin e kushteve të sigurta të punës.

Në aktivitet morën pjesë gjithashtu Dashnor Sula, Inspektor i Përgjithshëm, dhe Erjon Harizaj, Kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe kompanive të ndërtimit, duke e kthyer këtë nismë në një platformë të përbashkët angazhimi për një sektor ndërtimi më të sigurt.

E shtrirë gjatë gjithë muajit maj në të gjithë territorin e vendit, fushata do të shoqërohet me intensifikim të kontrolleve në terren, shpërndarje të materialeve informuese dhe angazhim të drejtpërdrejtë me subjektet ndërtuese dhe përfaqësuesit e punëmarrësve, me synimin për të ulur numrin e aksidenteve, për të rritur zbatimin e standardeve ligjore dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Ky aktivitet përcolli një mesazh të qartë: zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje që cenon jetën dhe shëndetin e punëmarrësve, si dhe nevojën për një angazhim të përbashkët nga të gjithë aktorët e sektorit për përmirësimin e kushteve të punës.

“Siguria dhe shëndeti në punë nuk janë një zgjedhje, por një detyrim ligjor dhe moral. Përmes kësaj fushate synojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe përgjegjshmërinë e çdo aktori në sektorin e ndërtimit, duke garantuar kushte pune më të sigurta dhe më dinjitoze për çdo punëmarrës”, u shpreh Eljo Muçaj, Drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat