Shqipëria Postuar më 16 Prill 2026, 12:52

Investitorët “shtyjnë “interesat e bonove për poshtë - Mbikërkesa në ankand ul yield-et, ndërsa siguria mbetet prioritet për tregun

Nga Ledina Elezi

Investitorët “shtyjnë “interesat e bonove për

Aktualisht, fitimet nga investimi në bono thesari 12-mujore rezultojnë të jenë shumë të ulëta. Në ankandin e fundit, yeld-i mesatar i ponderuar zbriti në 2.48%, poshtë normës bazë të interesit, ndërsa në ankandin e zhvilluar pak javë më parë, yield-i ishte pak më i lartë, 2.53%.

Për sa i përket kërkesës së investitorëve, të dhënat tregojnë se ka qenë e lartë. E thënë ndryshe, kërkesa e tyre për pjesëmarrje ka qenë më e madhe se shuma e shpallur për financim.

Konkretisht, shuma e shpallur  për financim ishte 7.8 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 11.2 miliardë lekë. Kjo mbikërkesë ka ulur yield-in, sepse investitorët janë të gatshëm të pranojnë kthime më të ulëta për të siguruar pjesëmarrjen në instrumente të sigurta.

Mbajtja e normës bazë të interesit në 2.50%, jep ndikimin e tij në rënien e mëtejshme të yield-it të bonove 12-mujore. Kështu, norma mesatare e interesit për bonot 12-mujore ka rënë shumë poshtë normës bazë të interesit.

Niveli i ulët i interesit të bonove nënkupton edhe kosto më të lira për kredinë në lekë, e cila ndikon në zgjerimin e huadhënies bankare. Nga ana tjetër, qeveria mund të financojë borxhin e brendshëm me kosto më të lirë.

Yield-i përfaqëson kthimin vjetor që realizon investitori nga mbajtja e një instrumenti financiar deri në maturim. Në rastin e bonove të thesarit 12-mujore, ky kthim realizohet nga diferenca midis çmimit të blerjes dhe vlerës nominale në maturim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat