Bota Postuar më 25 Prill 2026, 12:52

Meta dhe Microsoft shkurtojnë 20,000 vende pune/ Kriza e IA ka mbërritur, që nga 2020 janë larguar 900,000 persona

Nga Lidion Kulla

Meta dhe Microsoft shkurtojnë 20,000 vende pune/ Kriza e IA ka

Inteligjenca artificiale po kërcënon gjithmonë e më shumë vendet e punës. Së fundmi, Meta dhe Microsoft njoftuan se do të shkurtojnë rreth 20 mijë vende pune, vetëm disa muaj pasi Amazon njoftoi se largimet aktuale nga puna mund të jenë vetëm fillimi.

Këto kompani, që po shpenzojnë së bashku qindra miliarda dollarë në vit për të ndërtuar infrastrukturën e inteligjencës artificiale, po kërkojnë më shumë efikasitet duke ulur numrin e punonjësve. Ato gjithashtu po përpiqen të përshtasin fuqinë punëtore, pas mbipunësimit të nxitur gjatë pandemisë. Shumë ekonomistë dhe ekspertë të industrisë kanë frikë se një krizë e punësimit mund të jetë shumë afër, duke pasur parasysh se sa shpejt po përhapet inteligjenca artificiale në të gjithë botën. Deri më 24 prill, mbi 92,000 punonjës të teknologjisë janë pushuar nga puna për këtë vit, duke e çuar totalin në pothuajse 900,000 që nga viti 2020.

Shqetësimet në lidhje me humbjet e vendit të punës janë shtuar ndjeshëm, që kur OpenAI lançoi ChatGPT në fund të vitit 2022. Frika për humbjen e vendit të punës filloi të intensifikohej vitin e kaluar, ndërsa mjetet Claude të Anthropic filluan të bënin punën e të gjithë divizioneve të biznesit. Muajin e kaluar, Snap tha se do të shkurtonte 16% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 1,000 punonjës, ndërsa Salesforce pushoi nga puna 4,000 persona në pozicionet e asistencës ndaj klientëve.

Megjithatë, optimistët e teknologjisë, argumentojnë se Inteligjenca Artificiale po e riformëson punën njerëzore, dhe nuk po e zëvendëson atë. Dhe ashtu si në valët e mëparshme të ndryshimeve masive të industrive, do të krijohen vende të reja pune për t'iu përshtatur nevojave të ekonomisë në ndryshim.

Por, nuk janë në rrezik vetëm vendet e punës në industrinë e teknologjisë. Nike njoftoi të enjten një raund të ri largimesh nga puna, që prekin afërsisht 1,400 punonjës, kryesisht të përqendruar në departamentin e teknologjisë. Por shpenzimet vazhdojnë. Alphabet, Microsoft, Meta dhe Amazon pritet të shpenzojnë së bashku gati 700 miliardë dollarë këtë vit për të nxitur ndërtimin e infrastrukturës për inteligjencën artificiale

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat