Shqipëria Postuar më 6 Qershor 2026, 10:29

Industria shqiptare drejt modelit të ri të rritjes - Plani 2026–2030 për transformimin industrial

Nga Diamila Leka

Industria shqiptare drejt modelit të ri të rritjes - Plani

Industria shqiptare pritet të marrë një rol më të rëndësishëm në ekonominë e vendit gjatë viteve 2026–2030. Strategjia Kombëtare Industriale synon të orientojë ekonominë drejt një modeli të ri zhvillimi, të bazuar më shumë te produktiviteti, inovacioni, teknologjia dhe rritja e vlerës së shtuar. Aktualisht, industria përpunuese zë 6.51% të vlerës së shtuar në ekonomi, sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2024, çka tregon hapësirë për zgjerim të mëtejshëm dhe afrim me mesataren e Bashkimit Evropian.

Strategjia vendos në qendër forcimin e industrisë përpunuese, përpunimin e materialeve, industrinë e lehtë, teknologjitë digjitale dhe aktivitetet prodhuese me orientim eksporti. Një tjetër element kyç i strategjisë është lidhja e industrisë me inovacionin dhe aftësimin e fuqisë punëtore. Synimi është kalimi nga konkurrueshmëria e bazuar kryesisht te kostot e ulëta, drejt një ekonomie që konkurron përmes cilësisë, teknologjisë dhe produkteve me vlerë më të lartë.

Strategjia Kombëtare Industriale ka gjithashtu një rol të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit evropian. Ajo lidhet me Kapitullin 20 të acquis së BE-së, që përfshin ndërmarrjet, politikat industriale dhe mbështetjen për konkurrueshmërinë. Përmes këtij dokumenti, Shqipëria synon të ndërtojë një kuadër më të koordinuar të politikave publike, të forcojë kapacitetet institucionale dhe të krijojë instrumente më efektive për mbështetjen e biznesit, investimeve dhe eksporteve.

Strategjia është hartuar mbi bazën e analizave strukturore, konsultimeve me institucione, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të sektorit privat. Ajo parashikon një plan zbatimi të fazuar për periudhën 2026–2028 dhe një sistem monitorimi të rezultateve. Në thelb, objektivi është që industria të kthehet në një motor më të fortë të rritjes ekonomike, duke krijuar vende pune më produktive, paga më të larta dhe një ekonomi më të integruar me tregun evropian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat